Terapia farmakologjike, trajtimi fizioterapeutik dhe përfitimet e rehabilitimit me hidroterapi tek fëmijet me paralizë cerebrale infantile
Projekti ka për qëllim të shkëmbejë eksperiencën shkencore dhe praktike lidhur me trajtimin farmakologjik dhe fizioterapeutik të pacientëve me paralizë cerebrale infantile në Shqipëri dhe Kosovë. Përmes identifikimit të faktorëve të rrezikut, përcaktimit të prevalencës së kësaj gjendjeje, dhe promovimit të parandalimit të saj, synohet të përmirësohet cilësia e shërbimit shëndetësor për këtë grup pacientësh.
Në kontekstin aktual, në të dy vendet vazhdojnë të mungojnë informata zyrtare lidhur me prevalencën dhe trajtimin e paralizës cerebrale infantile, duke shkaktuar kështu shpeshherë konfuzion dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët që vuajnë nga gjendjet e tilla, e rrjedhimisht edhe duke i lënë këta të fundit në pritje për marrjen e shërbimeve adekuate për shumë vite ose duke shpenzuar para të shumta për të pranuar shërbime jashtë shtetit. Fatmirësisht një formë e trajtimit ofrohet në disa klinika private të fizioterapisë, por mungon një përkushtim specifik për rehabilitimin e këtyre pacientëve dhe sidomos shërbimeve specialistike profesionale në klinika të specifalizuara. Ndërkaq, mungesa e fizioterapistëve të specializuar në pediatri, si dhe e rehabilitimit robotik, shprehin sfida të mëdha në kujdesin e tyre shëndetësor.
Ekipi i projektit përbëhet nga profesionistë me eksperiencë të gjatë në këtë fushë, duke përfshirë mjekë, fizioterapistë, dhe specialistë në farmakologji nga institucione prestigjioze në Kosovë, Shqipëri dhe Itali. Përmes një metodologjie multidisiplinare të definuar qartë, synohet të krijojë një pasqyrë të plotë të situatës së paralizës cerebrale infantile në dy vendet dhe të propozojë strategji efektive për trajtimin dhe parandalimin e saj.
Projekti pritet të realizohet në një periudhë prej 2 vitesh prej momentit të nënshkrimit, duke përfshirë organizimin e takimit fillestar mes ekspertëve të përfshirë, realizimin e mobilitete, seminareve të hapura në institucionet respektive, grumbullimi dhe përpunimi i të dhënave dhe diseminimi i gjetjeve. Projekti do të udhëhiqet nga Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku, dhe do të përfshijë pjesëmarrës sikurse Prof. Ass. Dafinë Kaçuri, Prof. Dr. Haxhi Kamberi dhe Ass. Zana Gërgi nga UFAGJ. Nga ana e partnerëve të Republikës së Shqipërisë projekti do të udhëhiqet nga Prof. Asoc. Dr. Malvina Hoxha, dhe do të përfshijë edhe mësimdhënës të tjerë sikurse Prof. Ass. Dr. Emanuela Prendi, Prof. Dr. Stefano Mugnaini dhe Prof. Dr. Simonetta Galgani.
Si përfitues të fundit të këtij projekti pritet të jenë pacientët, familjet dhe rrethet e tyre, sistemi shëndetësor dhe akademik në të dyja vendet, duke ofruar një mundësi për të njohur dhe përmirësuar trajtimin dhe kujdesin ndaj këtij grupi të veçantë pacientësh.
---------------------------------------------------------------------------------