Mbahet provimi pranues në të gjitha njësitë akademike në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë
Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, sot është mbajtur provimi pranues për regjistrimin e studentëve të rinj në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2023/2024.
Për të parë nga afër këtë proces, Prof. Asoc. Dr. Zeqir Hashani, U.D Rektor në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, së bashku me Prorektorët dhe Sekretaren e Universitetit, kanë vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese, derisa janë shprehur të kënaqur me mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e ecurisë së provimit pranues të studentëve të rinj, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e UFAGJ-së.
U.D Rektori ju uroi të gjithë kandidatëve suksese në provimin pranues në afatin e parë dhe i njoftoi se do të ketë edhe një afat të dytë për të gjithë ata që nuk do të arrijnë pikët e nevojshme për regjistrim në afatin e parë, po ashtu theksoi që ky proces do të kalojë me transparencë, dhe se më meritorët do të zënë vendin në universitetin tonë.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë në afatin e parë të konkursit për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2023/2024, në fakultetet të cilat ka qenë i hapur konkursi, do të regjistrojë 400 studentë të rregullt në studime, ku përfshihen edhe studentë nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Bujanoci, Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.
Shpallja e rezultateve preliminare të provimit pranues do të bëhet deri më 21 Korrik 2023 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit. Ndërsa, shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet Brenda muajit korrik 2023. Afati për ankesë do të jetë deri më 25 Korrik, deri në orën 16:00. Regjistrimi dhe fotografimi për ID kartelë për studentët e pranuar do të bëhet me 27, 28 dhe 31 Korrik 2023.