Komunikatë për media
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Iu njoftojmë që Këshilli Drejtues i Universitetit “Fehmi Agani” në mbledhjen e mbajtur sot me datë 21.11.2022 ka marrë vendim për shkarkimin nga detyra të rektorit prof. asoc. dr. Artan Nimani.
Vendimi për shkarkimin e rektorit është marrë me 5 vota për arsyet e listuara si më poshtë:
· Dështimi për të krijuar një ambient të përshtatshëm dhe të sigurt për mbarëvajtje të procesit mësimor si pasojë e minimizimit dhe mos ndëshkimit të rasteve të dhunës (rrahje, shantazhe, kërcënime) të cilat janë shpeshtuar në ambientet e universitetit.
· Rrezikim i humbjes së besimit ndaj organeve të pavarura vendimmarrëse të universitetit për shkak të mos zbatimit të vendimeve/rekomandimeve të tyre.
· Ndërhyrje në vendime të organeve të pavarura statutare të universitetit.
· Ndryshimi i vendimit të Këshillit të Etikës në Senat si dhe mos adresim të rekomandimit të Këshillit Drejtues duke tejkaluar kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale.
· Mos respektim të rekomandimit të Këshillit Drejtues dhe mos gatishmëri për të adresuar kërcënimin e denoncuar tek Këshilli i Etikës.
· Vështirësi të shumta të shoqëruara dhe me probleme për akreditimin e programeve.
· Mos raportimi financiar për periudhën TM3-2022 në Këshillin Drejtues dhe mundësia për të vendosur atë në lajthitje ligjore.
· Menaxhimi joadekuat i buxhetit për “Paga dhe Mëditje” si pasojë e planifikimit jo të mirë si dhe të pagesave të shumta mbi-normë.
· Rezultate të pamjaftueshme kërkimore – shkencore dhe të mobilitetit në arenën ndërkombëtare.
· Mungesë e strategjisë, kapaciteteve dhe koordinimit për ngritjen e cilësisë në arsim me metoda bashkëkohore si dhe për krijimin e një ambienti atraktiv për tërheqjen e studentëve vizitorë si dhe dështim në realizimin e programeve semestrale në gjuhën angleze.
· Mungesë planifikimi, koordinimi apo informimi të KD-së për qëllimet dhe përfitimet e universitetit nga vizitat e shpeshta ndërkombëtare. Mos adresimi i kërkesave financiare për aprovim në KD.
· Rezultate jo të kënaqshme në ndërtimin e partneritetit strategjik me kompanitë publike dhe komunitetin e biznesit si dhe dështim në gjenerimin e të hyrave nga shërbimet e konsulencës, ekspertizave të ndryshme dhe shërbimeve tjera profesionale.
· Dështim në hartimin e rregullores për mbrojtjen e etikës akademike nga plagjiatura dhe nga revistat mashtruese.
· Renditje jo e kënaqshme në listën ndërkombëtare të universiteteve WEBOMETRICS dhe mungesë e strategjisë për të përmirësuar këtë gjendje.
· Mos azhurimi i raporteve vjetore, rregulloreve, vendimeve, dhe dokumenteve tjera në web-faqen e universitetit edhe pse është kërkuar disa herë nga KD.
· Mos-adresim i çështjes së punësimit nga të gjeturat dhe rekomandimet e auditorit të vitit të kaluar.
· Dështimi në krijimin e një ambientit të besueshëm, konkurrues, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në meritokraci për çështjen e punësimeve.
· Procese jo transparente të punësimeve të përcjella me shumë ankesa dhe dyshime për parregullsi.
· Mos transparencë për financime të botimeve shkencore.
sinqerisht,
Agon Haxhikadrija
Këshilli Drejtues - kryesues
Universiteti "Fehmi Agani" - Gjakovë