Menaxhmenti i UFAGJ-së priti përfaqësiuesit e projektit ALLED 2
Sot, rektori Prof. Ass. Dr. Artan Nimani dhe prorektorja për Cilësi Prof. Ass. Dr. Laura Naka, Prorektori për Çështje mësimore Prof. Ass. Dr. Sazan Kryeziu, Prorektorja për Ndërkombëtarizim Prof. Asoc. Dr. Kimete Canaj dhe Sekretarja e Përgjithëshme pritën në takim udhëheqësit e këtij projekti, Dr. Anton Gojani dhe Prof. Dr. Ferdije Zhushi për të rënë dakord për themelimin e grupit punues, i cili do të jetë përgjegjës për hartimin dhe formalizimin e shtojcës së diplomës.
Projekti ALLED 2 është vazhdim i projektit ALLED 1, i cili financohet nga BE dhe nga qeveria Austriake enkas për harmonizimin e arsimit në Kosovë me nevojat e tregut të punës. Shtojcat do të jenë konform standardit të kërkuar evropian sipas sistemit të Bolonjës dhe do të ofrohen në të dy gjuhët, në shqip dhe anglisht përkatësisht.
Shtojca e diplomës do të bëhet për secilin program veç e veç, që do të përfshijë përshkrimin e gradës dhe kompetencën e fituar të studentit. Dokumenti në fjalë, planifikohet të jenë në dispozicion të studentëve gjatë këtij viti akademik.
Menaxhmenti i lartë i UFAGJ -së u dakordua me udhëheqësit e projektit ALLED 2 për të përfituar ndihmë teknike dhe profesionale lidhur me përgatitjen e shtojcës së diplomës për të gjitha programet e akredituara të Universitetit “Fehmi Agani” Gjakovë.