Universiteti “Fehmi Agani” pjesë e punëtorisë “Thellimi i bashkëpunimit mes akterëve për promovim punësimi”, i realizuar nga GIZ/DIMAK
Më 11 nëntor 2021 (e enjte), Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, i përfaqësuar nga Zyrtari për informim, z. Ardit Halilaj, ka marrë pjesë në punëtorinë “Thellimi i bashkëpunimit mes akterëve për promovim punësimi”, analizë e realizuar nga konsulenti i angazhuar nga GIZ/DIMAK, z. Safet Gërxhaliu të programit “Migrimi për Zhvillim (PME).
Në këtë punëtori u diskutua identifikimi i përparësive dhe sfidat e punësimit në Gjakovë dhe mundësia për thellim e zgjerim të bashkëpunimit mes akterëve për promovim të punësimit.
Përgjatë diskutimeve, z. Ardit Halilaj, i informoi të pranishmit për zhvillimin e Universitetit në aspektin e punësimit, strategjinë për përgatitjen e studentëve për tregun e punës, përmes programeve atraktive që ofrohen, të cilat janë konkurruese në tregun vendor, rajonal dhe ndërkombëtar. Në fund të punëtorisë, u nxorën rekomandime dhe përfaqësuesit e bizneseve kërkuan të organizohet një tryezë me studentë për t’i diskutuar nevojat, kushtet që ofrohen për punë dhe mundësitë e punësimit në këto biznese.
Pjesëmarrës në punëtori ishin përfaqësuesit e universiteteve publike të Gjakovës dhe Pejës, përfaqësues të ndërmarrjeve publike lokale, përfaqësues të zyrave të punësimit në Gjakovë dhe Pejë, si dhe pronarë e përfaqësues biznesesh.