Mbahet provimi pranues për regjistrimin e studentëve të rinj në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë

Mbahet provimi pranues për regjistrimin e studentëve të rinj në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ka mbajtur sot provimet pranuese për afatin e parë,  për vitin akademik 2021/2022. Në Fakultetin e Edukimit do të regjistrojë studentë në programet: Fillor dhe Parashkollor; në Fakultetin e Filologjisë në programet: Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Gjuhë Angleze – Përkthim dhe interpretim; në Fakultetin e Mjekësisë në programet: Infermieri, Fizioterapi, Shëndet Publik, Menaxhim Shëndetësor; dhe në Fakultetin e Shkencave Sociale në programin: Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale.

Për të parë nga afër këtë proces, prof. ass. dr. Artan Nimani, rektor në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, së bashku me prorektorët, Sekretaren e Përgjithshme, dekanët dhe Parlamentin Studentor,  kanë vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese, derisa  janë shprehur të kënaqur me mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e ecurisë  së testit pranues të studentëve të rinj, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e UFAGJ-së dhe duke e pasur parasysh situatën e krijuar nga pandemia me Covid-19, mbajtja e provimit pranues ka qenë sfidë, mirëpo hapësirat e mjaftueshme kanë lehtësuar gjithçka. Rektori Nimani iu ka uruar suksese studentëve të rinj, duke i siguruar që ky proces do të kalojë me transparencë, dhe se meritorët do të zënë vendin në universitetin tonë.

Universiteti “Fehmi Agani” Gjakovë në afatin e parë,  për vitin akademik 2021/2022, në fakultetet për të cilat ka qenë i hapur konkursi, do të regjistrojë 450 studentë të rregullt në studime baçelor dhe master, ku përfshihen edhe studentë nga  Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.

Shpallja e rezultateve preliminare të provimit pranues do të bëhet më 02 shtator 2021 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit. Ndërsa, shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet më 06 shtator 2021. Gjithashtu, është paraparë edhe periudha e ankimit, kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen.

Fotot e lajmit

tp-bottom