Universiteti “Fehmi Agani” del pa asnjë vërejtje nga auditori, shembull i menaxhimit transparent dhe profesional
Në Raportin e publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës për vitin fiskal 2020, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë si njësi buxhetore në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Inovacionit (MAShTI), del pa asnjë vërejtje nga auditori.
Udhëheqësja e Divizionit për Buxhet dhe Financa në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, znj. Rina Rudi Xhiha, tha se në mostrat e kërkuara dhe të prezantuara, UFAGJ nuk ka marrë asnjë vërejte, me këtë është dëshmuar se institucioni ka një administratë të përgjegjshme, efikase, transparente dhe llogaridhënëse. Prandaj, proceset e zhvilluara ishin konform dispozitave ligjore dhe rregulloreve në fuqi.
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, prof. ass. dr. Artan Nimani, ka shprehur falënderim për të gjithë punonjësit e administratës dhe stafin menaxhues në UFAGJ, për përkushtimin dhe punën efikase në përputhje me standardin e Këshillit Drejtues me qëllim të funksionimit sa më transparent dhe profesional, duke u bërë shembull i respektimit të procedurave dhe infrastrukturës ligjore.