Njoftim – Zgjedhjet e Studentëve 2017
Në zbatim të Statutit të Përkohshëm dhe Rregullores për Zgjedhjet e
Studentëve, Këshilli Drejtues i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” në mbledhjen e mbajtur më 06.04.2017, ka
marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve të studentëve të Universitetit të cilat
do të mbahen më 03.05.2017.
Universiteti i Gjakovës inkurajon të gjithë studentët, që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë kandidatët, që ata mendojnë se më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e tyre në njësitë akademike përkatëse dhe në Senatin e Universitetit.
Universiteti inkurajon kandidimin e studentëve më të mirë dhe të gjitha organizatat Studentore (OS) të cilat në programin e tyre nuk kanë agjendë politike, fetare dhe racore, që denjësisht t’i përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e studentëve.
Organizatat studentore, të interesuara për të marrë pjesë në zgjedhjet studentore, për Këshilla të studentëve, të fakulteteve dhe për Parlament të studentëve, do të certifikohen nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Paraprakisht, OS duhet të jenë të regjistruara në Ministrinë e Administratës Publike, konform Ligjit për Lirinë e Asocimit në Organizata Joqeveritare. Të gjitha organizatat studentore, të cilat janë regjistruar në mënyrë të rregullt si “shoqatë”–“asociacion” në Ministrinë e Administratës Publike sipas ligjit në fuqi konsiderohen të regjistruara, ndërsa për themelimin e organizatave të reja ato duhet të regjistrohen së paku 15 ditë para datës së zgjedhjeve. Me rastin e aplikimit për certifikim në KQZ, organizatat studentore duhet të dorëzojnë edhe Listën e deklarimit të studentëve, në mbështetje për certifikimin e Organizatës studentore për zgjedhjet e studentëve 2017, me më së paku 50 nënshkrime, për certifikim për zgjedhjet për Këshill të studentëve dhe me më së paku 150 nënshkrime, për certifikim për zgjedhjet për Parlament të studentëve.
Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” të gjithë studentëve iu uron një proces zgjedhor të ndershëm, korrekt dhe demokratik!Zgjedhjet studentore