Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Prof. Ass. Dr. Kamber Kamberi dhe udhëheqësit e programeve, vizitë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit dhe në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës
Gjatë
kësaj vizite u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi në mes Universitetit të
Gjakovës “Fehmi Agani” dhe Universitetit
të Vlorës “Ismail Qemali”
Një delegacion i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, në përbërje të Prof. Ass. Dr. Kamber Kamberi, dekan, bashkë me udhëheqësit e programeve, Prof. Ass. Dr. Besim Muhadri, dhe Prof. Ass. Dr. Fridrik Dulaj, më 15 dhe 16 mars 2017 zhvilluan vizitë zyrtare, përkatësisht takime pune në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe Universitetin ”Ismail Qemali” në Vlorë.
Gjatë vizitës në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, ata u takuan me dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Dr. Albert Riska si dhe me shefat e degëve të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Gjatë vizitës me karakter punues u shkëmbyen përvojat rreth programeve dhe u bisedua edhe rreth bashkëpunimit në organizimin e konferencave dhe seminareve shkencore. Ndërsa, më 16 Mars, dekani Kamberi dhe udhëheqësit e programeve Muhadri dhe Dulaj zhvilluan vizitë në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”. Fillimisht në Fakultetin e Shkencave Humane të këtij Universiteti, ku zhvilluan takime me dekanin Prof. Asoc. Dr. Aleks Trushaj dhe shefen e degës së Gjuhësisë, Prof. Ass. Dr. Vilma Bello dhe personelin tjetër akademik këtij Fakulteti.
Më pas ata u pritën nga Rektori i Universitetit të
Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi, me ç’rast Dekani Prof. Ass. Dr. Kamber Kamberi,
në emër të Rektorit të Universitetit të Gjakovës, Prof. Dr. Shaban Buza, ofroj
për nënshkrim marrëveshjen e bashkëpunimit në mes dy universiteteve. Kjo
marrëveshje të cilën e nënshkroi edhe Rektori Zisi, hap rrugë të reja jo vetëm
bashkëpunimi midis dy universiteteve shqiptare, por edhe për shumë arsye të
tjera.