UFAGJ dhe Universiteti i Durrësit nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Më 12 nëntor 2026, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ), me iniciativën e Rektorit Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, organizoi një takim të rëndësishëm ndëruniversitar, duke bashkuar drejtuesit e universiteteve publike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin teknologjik.
Në këtë takim morën pjesë Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi,
Në fjalën e mirëseardhjes, Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, theksoi rëndësinë e krijimit të një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet universiteteve shqipfolëse, duke nënvizuar se bashkimi i potencialeve akademike dhe shkencore përbën një mundësi të rëndësishme për avancimin e arsimit të lartë dhe zhvillimin e shoqërisë.
Ai vuri në pah se universitetet ndajnë tri misione themelore: mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe kontributin në komunitet, ndërsa kjo iniciativë synon t'i fuqizojë më tej këto misione përmes bashkëpunimit konkret dhe afatgjatë. Rektori Bunjaku shprehu gjithashtu pritjen që kësaj nisme t'i bashkohen edhe universitete të tjera shqipfolëse.
Në këtë takim, Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, vlerësoi rëndësinë e iniciativës së ndërmarrë dhe shprehu pritjen që bashkëpunimit t'i bashkohen edhe universitete të tjera shqipfolëse.
“Ne kemi shumë për t'i dhënë njëri-tjetrit, kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri”, u shpreh Rektori Fortuzi, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet universiteteve duhet të shndërrohet në veprime konkrete dhe mundësi reale për komunitetet akademike.
Ai vuri në pah rëndësinë e marrëveshjes shumëpalëshe si një instrument që krijon mundësi për mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkencore.
Pjesëmarrja e Rektorit Fortuzi në këtë tryezë shënoi gjithashtu një mundësi për Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës që të zgjerojë rrjetin e partneriteteve akademike dhe të kontribuojë në ndërtimin e një hapësire më të integruar të bashkëpunimit universitar në rajon.
Gjatë tryezës së përbashkët u trajtuan disa nga çështjet më të rëndësishme për zhvillimin e universiteteve bashkëkohore, duke përfshirë:
-
Identifikimin e fushave me interes të përbashkët për kërkimin shkencor dhe inovacionin.
-
Zhvillimin e projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe zhvillimore.
-
Mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik.
-
Zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe shkëmbimin e praktikave të mira në sigurimin e cilësisë.
-
Përdorimin e teknologjive digjitale dhe integrimin e Inteligjencës Artificiale në arsimin e lartë.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua mundësive që ofron Inteligjenca Artificiale për përmirësimin e proceseve mësimore, kërkimore dhe administrative, si dhe sfidave që institucionet e arsimit të lartë duhet të adresojnë për ta integruar këtë teknologji në mënyrë të përgjegjshme dhe efektiv
Takimi u përmbyll me nënshkrimin e marrëveshjes shumëpalëshe ndërinstitucionale ndërmjet universiteteve publike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me synim thellimin e bashkëpunimit në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin teknologjik.
Në vijim, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë nënshkroi marrëveshje të reja bashkëpunimi me Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës
Përmes marrëveshjes ndërmjet UAMD-së dhe UFAGJ-së synohet krijimi i mundësive të reja për mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike, realizimin e projekteve kërkimore dhe shkëmbimin e përvojave institucionale.
Një tjetër rezultat i rëndësishëm i takimit ishte dakordësimi që secili universitet pjesëmarrës të caktojë dy anëtarë të stafit akademik, një përfaqësues nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe një përfaqësues nga komuniteti i biznesit, të cilët do të angazhohen në koordinimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, identifikimin e projekteve të përbashkëta dhe përgatitjen e aplikimeve për financim në programe ndërkombëtare.
Kjo iniciativë përbën një hap konkret drejt krijimit të një rrjeti më të gjerë bashkëpunimi ndërmjet universiteteve shqipfolëse, duke bashkuar potencialet akademike, shkencore dhe institucionale në funksion të zhvillimit të arsimit të lartë dhe inovacionit në rajon.