Zyra për Zhvillim në Karrierë përgatit fletushkë informuese për studentët e rinj të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë
Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2026/2027, Zyra për Zhvillim në Karrierë e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë ka përgatitur një fletushkë informuese për studentët e rinj, të cilët sot nisën rrugëtimin e tyre akademik në këtë institucion të arsimit të lartë.
Kjo fletushkë synon t'u ofrojë studentëve të vitit të parë informacione të përgjithshme dhe praktike për universitetin, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, si dhe mundësitë që ofrohen gjatë studimeve, duke i ndihmuar ata të orientohen më lehtë dhe të përshtaten me jetën universitare.
Në fletushkë prezantohen pesë fakultetet e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë: Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Filologjisë, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Shkencave Aplikative, si dhe organizimi i vitit akademik, përfshirë semestrin dimëror dhe atë veror.
Një pjesë e veçantë i kushtohet të drejtave të studentëve, ku përfshihen:
- E drejta për të marrë pjesë në ligjërata dhe aktivitete akademike;
- Shfrytëzimi i bibliotekës dhe shërbimeve studentore;
- Shprehja e lirë e ideve dhe opinioneve;
- Pjesëmarrja në përfaqësimin studentor;
- Krijimi dhe anëtarësimi në klube dhe shoqata;
- E drejta për të parashtruar ankesa.
Po ashtu, fletushka thekson edhe përgjegjësitë e studentëve, duke përfshirë respektimin e rregulloreve të universitetit, profesorëve, stafit dhe studentëve të tjerë, respektimin e orarit dhe procesit mësimor, si dhe kujdesin ndaj hapësirave dhe pajisjeve universitare. Studentët inkurajohen të jenë aktivë në ligjërata, organizata studentore, aktivitete akademike, punë praktike dhe aktivitete kulturore e sportive.
Fletushka prezanton gjithashtu mundësitë që universiteti ofron për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve, siç janë bursat, praktikat profesionale, trajnimet, këshillimi dhe orientimi në karrierë, përmes Zyrës për Zhvillim në Karrierë, si dhe mundësitë për mobilitet ndërkombëtar dhe shërbimet semestrale.
Në kuadër të informimit për shërbimet mbështetëse, studentët njihen edhe me institucionet dhe njësitë universitare ku mund të kërkojnë ndihmë dhe përkrahje, përfshirë Ombudspersonin, Bibliotekën Qendrore Universitare, Qendrën Universitare për Këshillime Psikosociale, Qendrën Shëndetësore Universitare dhe Institutin për Mjedis dhe Shëndet.
Në fund, studentëve u rikujtohet rëndësia e përcjelljes së vazhdueshme të orarit të ligjëratave, njoftimeve të fakulteteve, afateve të provimeve dhe njoftimeve në Sistemin Menaxhues Universitar (SMU), si pjesë e organizimit të suksesshëm të studimeve.
Përmes kësaj iniciative, Zyra për Zhvillim në Karrierë synon të kontribuojë në informimin, orientimin dhe integrimin e studentëve të rinj, duke i inkurajuar ata të shfrytëzojnë mundësitë që ofron universiteti dhe të jenë pjesëmarrës aktivë në jetën akademike dhe universitare.
Për më shumë informacione, studentët mund të konsultojnë: “Doracakun për Studentë të UFAGJ-së”.