
Universiteti “Fehmi Agani” vazhdon takimet me Alumni-n: Vizitë në Qendrën për Aftësim Profesional në Gjakovë
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, përmes përfaqësueses së Zyrës për Alumni, ka realizuar një vizitë në Qendrën për Aftësim Profesional (QAP) në Gjakovë.
Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesja e UFAGj-së është pritur nga drejtori i QAP-së, z.Arbër Zhubi, si dhe nga pjesëtarë të stafit profesional të qendrës. Qëllimi i vizitës ishte plotësimi i pyetësorëve të dizajnuar për studentët e Alumni-t të cilët tashmë janë të punësuar në këtë institucion dhe përfaqësojnë shembuj të suksesshëm të integrimit në tregun e punës pas diplomimit nga UFAGj.
Drejtori i QAP-së ka vlerësuar lart përgatitjen profesionale të ish-studentëve të UFAGj-së, duke theksuar se kontributi i tyre është i çmuar në ngritjen e cilësisë së trajnimeve që ofrohen në qendër.
Studentët e Alumni-t janë shprehur të kënaqur me interesimin e Universitetit ndaj ecurisë së tyre profesionale dhe e kanë vlerësuar këtë qasje si një dëshmi e përkushtimit të institucionit ndaj suksesit të të diplomuarve.
Universiteti “Fehmi Agani” do të vazhdojë me vizitat në institucione të ndryshme publike dhe private nëpër Kosovë, për të analizuar dhe përmirësuar vazhdimisht ofertën akademike në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe zhvillimin profesional të studentëve të tij.