UFAGJ mirëpriti përfaqësues të ITP-GIZ, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, së bashku me Prorektoren për Mësimdhënie dhe Çështje për Studentë, Prof. Ass. Dr. Dafinë Kaçuri, dhe Prorektorin për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku, kanë pritur përfaqësues nga organizata gjermane GIZ dhe organizata jo-qeveritare Innovation and Training Park (ITP) Prizren.
Në këtë takim, të dyja palët diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta që synojnë zhvillimin dhe përmirësimin e programeve akademike të universitetit. Përfaqësuesi i GIZ në ITP, Visar Haxhifazliu, theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive të reja për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë..
Me pas, më datën 14.08.2024, menaxhmenti së bashku me rektorin vizituan objektet e ITP-së në Prizren, ku takuan udhëheqës të departamenteve të cilët merren me zhvillimin dhe promovimin e teknologjisë në komunitet, si dhe me trajnime të profileve të ndryshme për zhvillimin e kapaciteteve humane. Në këtë vizitë mori pjesë edhe Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Nazli Tyfekçi. Përfaqësuesit e ITP-së, shprehën interesim në bashkëpunimin me UFAGJ, si dhe u bisedua për mundësitë e përdorimit të kapaciteteve të të dyja palëve për zhvillim reciprok.
Rektori Bunjaku dhe përfaqësuesit e ITP-GIZ ranë dakord për nevojën e vazhdimit të takimeve të rregullta për të konkretizuar idetë dhe projektet e diskutuara.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Fehmi Agani” dhe organizatave kombëtare e ndërkombëtare njëkohësisht, duke hapur rrugë për avancimin dhe rrjetëzimin institucional.