Thirrje për aplikim - Gara me shkrime për studentë të nivelit bachelor dhe master

Thirrje për aplikim - Gara me shkrime për studentë të nivelit bachelor dhe master

Instituti GAP, me përkrahjen e UNDP/Projekti SAEK III, mbështetur nga Qeveria Zvicerane dhe ajo Suedeze, (SDC dhe SIDA), hap THIRRJEN PËR CIKLIN E GJASHTË të shkrimeve analitike për studentët e nivelit baçelor dhe master në Kosovë. Kjo garë synon nxitjen e studentëve për përfshirje në studimin e politikave publike në Kosovë duke shpërblyer me çmime punën e tyre.

Kjo garë organizohet në kuadër të aktiviteteve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Studentët mund të zgjedhin njërën nga dy temat e listuara më poshtë:  

  1. “Praktikat më të mira kundër-korrupsion në prokurimin publik”

Cilat janë disa praktika të suksesshme të zbatuara në shtetet e zhvilluara që kanë ndikuar në uljen e korrupsionit në prokurimin publik? Cilat faza të prokurimit publik dalin të jenë më të shpërfaqura ndaj korrupsionit? Cilat janë pasojat e korrupsionit në prokurimin publik për shoqërinë dhe ekonominë? Cili është ndikimi i teknologjisë dhe inovacionit në përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit në prokurim publik? Çfarë roli luan ligji dhe sistemi i drejtësisë në parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit në prokurimin publik?

  1. “Performanca dhe transparenca e ndërmarrjeve publike në Kosovë”

A kanë ndërmarrjet publike në Kosovë një model të qendrueshëm zhvillimor? A janë të stërngarkuara ndërmarjet publike? Cilat janë pasojat e ndikimit politik në funksionimin e ndërmarrjeve publike? A është përmirësuar transparenca dhe llogaridhënia e ndërmarrjeve publike në Kosovë? A kanë ndërmarrjet publike performancë më të mirë viteve të fundit? Cilat janë sfidat në shmangjen e korrupsionit dhe konfliktet e interesave në ndërmarrjet publike të Kosovës? Si mund të përmirësohet transparenca e ndërmarrjeve publike në Kosovë?

Inkurajoheni të krijoni temën tuaj origjinale dhe argumentet tuaja duke u bazuar në pyetjet e cekura më lartë apo çështje tjera që lidhen me temat e listuara.

Udhëzimet për aplikim

  • Autorët e shkrimeve duhet të jenë studentë të nivelit baçelor ose master;
  • Shkrimet duhet të jenë origjinale dhe të pabotuara. Shkrimet e plagjiarizuara do të refuzohen;
  • Shkrimet duhet të shkruhen nga një apo dy autorë. Shkrimet e shkruara nga më shumë se dy bashkë-autorë nuk do të pranohen;
  • Shkrimet duhet të jenë deri në 1,000 fjalë. Shkrimet më të gjata do të diskualifikohen automatikisht; 
  • Burimet e të dhënave duhet të citohen brenda tekstit/me fusnotë. Nuk ka nevojë për listë referencash; 
  • Shkrimet duhet të dërgohen në format Word MS, në emailin [email protected]. Po ashtu, duhet të bashkangjitni kopjen e skanuar të kartelës studentore apo ndonjë dëshmi tjetër që tregon se jeni student/e në ndonjërin prej institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë në kohën e dorëzimit të shkrimeve. 
  • Në titullin e emailit (Subject) shkruani “Gara me shkrime - Emri dhe Mbiemri”.
  • Afati i fundit për dorëzim të shkrimeve është më 26 nëntor 2023 në mesnatë.
  • Shkrimet e dorëzuara pas afatit të përcaktuar nuk do të merren parasysh.

Formati i shkrimeve

  • Hyrje

o Paragrafi hyrës duhet të përfshijë tezën apo qëllimin e shkrimit, duke i njoftuar lexuesit rreth temës kryesore të tij. Nuk duhet përdorur të dhëna ose fakte thelbësore që mbështesin argumentet tuaja në këtë seksion.

  • Përmbajtja

o Vendosni të gjitha të dhënat dhe faktet këtu. Organizoni idetë në sa më shumë paragrafë të nevojshëm që mbështesin tezën apo qëllimin e shkrimit tuaj. Nëse keni tri argumente, shkruani ato në tre paragrafë duke i radhitur sipas rëndësisë dhe potencialit për t’i mbështetur ato.

  • Përfundimi

o Mos vendosni informacione apo të dhëna të reja në këtë paragraf. Vetëm përmblidheni mirë shkrimin duke ripërmendur argumentet kryesore të tij dhe duke sinjalizuar fundin e tij apo duke bërë një "thirrje për veprim" nëse shkrimi juaj do të shkruhet në atë mënyrë që të bind lexuesit të veprojnë kundrejt diçkaje.

 

Vlerësimi i shkrimeve

Paneli vlerëson në mënyrë të pavarur të gjitha shkrimet në bazë të kritereve të mëposhtme:

  • Origjinaliteti në temat e trajtuara
  • Përdorimi i të dhënave në mënyrë të drejtë/ Saktësia e të dhënave
  • Cilësia dhe thellësia e hulumtimit
  • Stili i shkrimit, gramatika, drejtshkrimi, pikësimi dhe citimi

Çdo anëtar/e i/e panelit do të vlerësojë përmbajtjen e përgjithshme me pikë dhe tri shkrimet me pikët më të larta do vlerësohen me çmime. Vlerësimi bëhet nga Instituti GAP dhe UNDP/Projekti SAEK III.

Vetëm fituesit e tri vendeve të para do të lajmërohen.

Çmimet

Vendi i parë: 250 Euro dhe mirënjohje

Vendi i dytë: 200 Euro dhe mirënjohje

Vendi i tretë: 150 Euro dhe mirënjohje

Detajet në linkun: https://www.institutigap.org/lajme/3146

tp-bottom