Libri "Studime letrare shqiptare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit", i profesorit të Universitetit të Gjakovës, Besim Muhadri, botohet në shtatë gjuhë
Përveç në anglisht, libri i profesor Besim Muhadrit është botuar edhe në frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, portugalisht dhe rusisht. Libri në fjalë është i sajuar nga studime shkencore të botuara paraprakisht në gjuhën angleze në revista shkencore me impakt ndërkombëtar. Botimi i studimeve në fjalë, në disa nga gjuhët e rëndësishme të botës, përveç që paraqet të arriturat e autorit në fushën e studimeve letrare dhe etnologjike shqiptare, njëherësh është një prezantim dinjitoz i letërsisë dhe etnologjisë shqiptare, veçanërisht të Kanunit të Lekë Dukagjinit, si një nga vlerat monumentale të etnokulturës shqiptare, për studimin e të cilës vepër profesor Muhadri ka një kontribut të pakontestueshëm.
“Ky libër i studiuesit Besim Muhadri, është një prekje interesante në krijimtarinë e disa autorëve shqiptarë, ku Muhadri ka shfaqur kujdes edhe ndaj kufijve gjeografikë (nuk ka përfshirë vetëm autorë nga Kosova). Gjithashtu, është një botim mjaft tërheqës për studiues apo lexues të apasionuar të njohin më në detaje kanunin e Lekë Dukagjinit, se si shihet nga brenda e jashtë shqiptarisë.” shprehet ndër të tjera studiuesja shqiptaro-Amerikane, Arjeta Ferlushkaj -Kotrri (Ph.D.), duke i uruar Besim Muhadrit suksese të mëtejshme, dhe e falënderojë për kontributin e vazhdueshëm në fushën e letrave shqipe.
Libri në anglisht është botuar fillimisht nga Shtëpia Botuese Adriatic Press në Nju Jork (2022). Pastaj në anglisht edhe nga Lambert Publishing, ndërsa në gjuhët e tjera janë shtëpi botuese të tjera.