Filloj realizimi i projektit HERAS ku edhe UGJFA është partner

Filloj realizimi i projektit HERAS ku edhe UGJFA është partner


Më 27 dhe 28 mars 2018 u mbajtën takimet e para për fillimin e projektit ndërkombëtar nën programin HERAS, me titull “Promoting International Relations in the Higher Education in Kosovo/Promovimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Arsimin e Lartë në Kosovë”. 

Ky projekt është bashkëpunim në mes Universitetit të Salzburgut për Shkenca Aplikative nga Austria dhe gjashtë universiteteve publike në Kosovë, Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan (njëherit edhe bartës i projektit), Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. 

Qëllimi i projektit është ngritja e kapaciteteve për bashkëpunim ndërkombëtar dhe menaxhim të projekteve nëpërmjet themelimit të zyrave respektive në universitetet publike. Po ashtu, parashihet të realizohet edhe draftimi e aprovimi i rregullores për bashkëpunim ndërkombëtar dhe menaxhim të projekteve, ngritja e kapaciteteve të stafit për përpilim të projekteve dhe rritja e numrit të marrëveshjeve ndërkombëtare. 

Dita e parë e këtij takimi u mbajt në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan  ku Rektorët e të gjitha universiteve publike prezantuan punën dhe të arriturat e universiteve që drejtojnë dhe diskutuan për rëndësinë e këtij bashkëpunimi. Rektori nikoqir Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, falënderoj të gjithë ata që kontribuuan dhe punuan që ky projekt të fitohet dhe të ketë rezultatet e veta në implemtim.

Rektori Prof. Dr. Shaban Buza në fjalën e tij për Universitetin e Gjakovës, përveq të arriturave potencoj edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ndërkombëtar në proceset akademike. Tregoj projektet qe janë duke u zhvilluar në UGJFA në kuadër të programit Erasmus+, CEEPUS dhe tri projekteve të fituara së fundmi nga programi HERAS. 

Po ashtu, përfaqësuesja e programit HERAS, znj. Arbëresha Meha tha se qëllimi i këtij programi është të kontribuojë në funksionimin e mirë të Arsimit të Lartë dhe Hulumtimeve në Kosovë në linjë me parimet e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe zonës Evropiane të Hulumtimeve (ERA) me objektivë afatgjatë për të përkrahur zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Ndërsa, dita e dytë e takimit u mbajt në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” ku edhe u përcaktuan aktivitetet kryesore nëpërmjet të cilave synohet arritja e objektivave të projektit, përfshirë punëtoritë që do të organizohen, planifikimi i vizita studimore të anëtarëve pjesëmarrës në projekt, mundësitë e mobiliteteve të stafit akademik dhe studentëve dhe mundësitë e aplikimit për projekte tjera. 

Nga Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” në këto takime morën pjesë Rektori Prof. Dr. Shaban Buza, Prorektorja Prof. Ass. Dr. Mimoza Dushi, nga personeli akademik Ass. Kushtrim Grezda dhe nga personeli administrativ, zyrtari për bashkëpunim ndërkombëtar z. Denis Spahija.

Fotot e lajmit

tp-bottom