Në Universitetin “Fehmi Agani” shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit
Më 27 janar 2021 (e enjte), me performancë orkestrale nën dirigjimin e profesor Kastriot Sadës, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë shënoi Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit iu kushtua shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel (1928-2016), e organizuar në bashkëpunim me organizatën Kosovo Jewish Organisation (KJO) dhe Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”.
Prorektori për Mësim dhe Çështje të Studentëve në UFAGJ, prof. ass. dr. Sazan Kryeziu, në fjalën e tij shprehu përshëndetje të përzemërta për të pranishmit e më pas foli për jetën e të mbijetuarit të Holokaustit Elie Wiesel dhe veçoi një ngjarje të tij, i cili me ditë të tëra kaloi në kampet e refugjatëve shqiptarë të Kosovës në Shqipëri dhe Maqedoni gjatë luftës së vitit 1999, prej ku i bënte thirrje presidentit Klinton që të ndërhynte ushtarakisht për çlirimin e Kosovës. “Kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar një të ardhme, me dinjitet dhe barazi, dhe nuk do të lejojmë kurrë të harrohen viktimat e Holokaustit”, tha prorektori Kryeziu.
Rektori, prof. ass. dr. Artan Nimani, për shkak të rrethanave të pandemisë Covid-19, përmes një video mesazhi, në emër të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, ka përshëndetur të pranishmit dhe ka shprehur falënderim për pjesëmarrjen me rastin e shënimit të kësaj dite. Rektori Nimani tha se “sot e shënojmë Ditën Përkujtimore të Holokaustit, ditën në të cilën mizoritë dhe barbaritë tejkaluan kufijtë e njerëzores. Kjo ngjarje tashmë është bërë tradicionale për universitetin tonë, duke ndjerë obligim moral e shpirtëror, përkujtimin dhe lavdinë mbi të. Prandaj, populli hebre dhe populli shqiptar e kanë një rrugë të përbashkët, duke përkujtuar të kaluarën e ndërtojmë të ardhmen”. Njëherit theksoi rolin e rëndësishëm të shqiptarëve për të shpëtuar hebrenjtë, të cilët në familjet e tyre kanë strehuar shumë hebre që kishin ikur nga vendet tjera, apo jetonin në Kosovë dhe Shqipëri.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, falënderoi rektorin Nimani dhe përgëzoi Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë që tashmë shënimin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit e ka shndërruar në traditë, duke treguar rëndësinë e përkujtimit të kësaj dite dhe solidarizimin e popullit shqiptar me popullin hebre.
Ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Shkëlqesia e Tij, z. Hristo Gudjev, shprehu falënderim për ftesën dhe përgëzoi Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë për shënimin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit. Ambasadori Gudjev tha se “Holokausti nuk duhet të shënohet vetëm në Ditën Përkujtimore, por edhe të jetë një program arsimor”.
Ndërsa, Ministri i Izraelit për Çështjet e Diasporës, z. Nachman Shai, përmes një video mesazhi, në emër të Qeverisë së Jerusalemit ka përshëndetur dhe falënderuar rektorin, prof. ass. dr. Artan Nimani, për organizimin, duke shpjeguar rolin, rëndësinë dhe vlerat e përkujtimit të Holokaustit.
Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, prof. dr. Ruzhdi Sefa, përshëndeti të pranishmit dhe shprehu falënderim për UFAGJ-në për bashkë organizimin. Prof. dr. Ruzhdi Sefa foli edhe për rrethanat historike të shqiptarëve dhe hebrenjve.
Pjesëmarrësit dëgjuan kumtesën e prof. ass. dr. Mimoza Hasani Pllana dhe prof. asoc. dr. Labinot Berishës për jetën dhe veprën e shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel. Më pas, ass. Saranda Buzhala lexoi pjesë të zgjedhura të fjalimit të Elie Wiesel në Shtëpinë e Bardhë (12 Prill, 1999).
Në fund të kësaj ngjarje, z. Velislav Radev mbajti fjalim dhe prezantoi një film të shkurtër kushtuar Dimitar Peshevit.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues diplomatikë, përfaqësues të institucioneve lokale, përfaqësues nga Policia Rajonale në Gjakovë, studiues, profesorë dhe studentë.