Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë boton tekstin universitar “Hyrje në teorinë e letërsisë” të prof. asoc. dr. Besim Muhadrit

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë boton tekstin universitar “Hyrje në teorinë e letërsisë” të prof. asoc. dr. Besim Muhadrit

Sot doli nga shtypi libri më i ri i prof. asoc. dr. Besim Muhadrit, “Hyrje në teorinë e letërsisë” (ligjërata të autorizuara), të cilin e ka botuar Shtëpia Botuese e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Teksti universitar “Hyrje në teorinë e letërsisë” i profesorit të Fakultetit të Filologjisë Besim Muhadri që i dedikohet studentëve të degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë të UFAGj-së, është rezultat i punës shumëvjeçare me studentët e degës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, ndërkaq, siç e thotë edhe prof. dr. Sabahajdin Cena, njëri nga recensentët e librit, “ai bazohet në materiale të verifikuara teorike, të cilat i nevojiten studentëve për të marrë njohuri në lidhje ne aspektet që kanë të bëjnë me teorinë e letërsisë. Teksti “Hyrje në teorinë e letërsisë” është punuar me kompetencë të plotë profesionale, ku studentët do të njihen, por edhe do të përvetësojnë bazat teorike për letërsinë si dhe modalitetet e krijimit letrar”, spikat në mes tjerash profesor Sabahajdin Cena.

Në librin “Hyrje në teorinë e letërsisë”,  i cili është konceptuar në dhjetë kapituj, siç pohon edhe autori, studentëve u ofrohen informacione bazike në lidhje me artet dhe raportet e tyre në mes vete e në veçanti për letërsinë si art i fjalës; raportet e saj me artet e tjera si dhe funksionin shoqëror të saj gjatë shekujve. Po ashtu, flitet edhe për shkencën e letërsisë si përcjellëse sistematike e zhvillimit dhe studimit të letërsisë, bashkë me degët e saj historinë e letërsisë, teorinë letërsisë dhe kritikën letrare. Autori merret edhe me procesin krijues si rrjedhë e krijimit të një vepre letrare, me analizën, strukturën dhe kompozicionin e veprës letrare, për të ardhur gradualisht te stilistika, si disiplinë e veçantë e studimit të stilit dhe figuracionit poetik. Ndërkaq, një vend të veçantë profesor Besim Muhadri në tekstin e tij i ka kushtuar edhe figurave stilistike, duke i plotësuar ato edhe me shpjegime dhe shembuj konkretë, ashtu sikurse i ka kushtuar rëndësi edhe metrikës dhe gjinive letrare.

Teksti “Hyrje në teorinë e letërsisë” përmbyllet me pjesën që ka të bëjë me rrymat letrare avangarde të shekullit XX dhe me literaturën që është mjaft e pasur.

Libri ka 314 faqe dhe nga sot është në dispozicion të  studentëve.

 

Fotot e lajmit

tp-bottom