Po mbahen zgjedhjet e studentëve në Universitetin “Fehmi Agani”, votohet për Këshillet Studentore dhe Parlamentin Studentor

Po mbahen zgjedhjet e studentëve në Universitetin “Fehmi Agani”, votohet për Këshillet Studentore dhe Parlamentin Studentor

Studentët e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, votojnë sot (24 maj 2021), për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Këshillet Studentore nëpër njësi akademike si dhe për Parlamentin Studentor.

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. Dr. Ilir Kelmendi vizituan qendrat e vendvotimeve në njësitë akademike, me ç`rast i uruan dhe përgëzuan studentët dhe KQZ-në për procesin zgjedhor.

Në garë janë dy organizata studentore: “Bashkimi Studentor Fehmi Agani - BSFA” dhe “Unioni i Studentëve Pro Europian - USPE”.

Të drejtë vote në Fakultetin e Edukimit kanë 837 studentë, në Fakultetin e Filologjisë 420 studentë, në Fakultetin e Mjekësisë 229 studentë, gjithsej 1486 studentë me të drejtë vote në tri fakultetet e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, znj. Linda Dula Halilabazi, tha se përgatitjet janë bërë me kohë dhe procesi i votimit po shkon sipas planit të zgjedhjeve, duke i respektuar edhe masat parandaluese në kuadër të mbrojtjes nga Covid-19. Hapja e vendvotimeve është bërë me kohë në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 17:00, procesi gjatë gjithë ditës është monitoruar nga KQZ-ja dhe anëtarët e caktuar në qendrat e vendvotimit. Ndërsa, rezultatet preliminare pritet të dalin pak orë pas mbylljes së vendvotimeve.

Procesin e votimit e ka monitoruar edhe kryetari i Këshillit Komunal të Zgjedhjeve, Armir Rexhaj me bashkëpunëtorë, të cilët edhe kanë asistuar në organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Fotot e lajmit

tp-bottom