Mbahet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Demonstratat e vitit 1981 – Sinjalizimi i Botës për shkeljen e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”

Mbahet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Demonstratat e vitit 1981 – Sinjalizimi i Botës për shkeljen e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”

Me rastin e 40-vjetorit të demonstratave të marsit të viti 1981 të organizuara nga studentët shqiptar në ish-Jugosllavi, është mbajtur konferenca shkencore “Demonstratat e vitit 1981 – Sinjalizimi i Botës për shkeljen e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë në bashkëpunim me Institutin Shkencor Kosovaro-Suedez organizuan Konferencën në Bibliotekën Kombëtare, e cila kishte për qëllim shpalosjen e ngjarjeve paraardhëse dhe pasardhëse si dhe vetë qëllimin e protestave të vitit 1981 dhe jehonën që bëri kjo ngjarje në botë.

Në këtë konferencë u shpalosën rrëfime dhe diskutime lidhur me krimet e shtetit serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve në shek e XX-të.

Në fjalën e saj hyrëse, drejtoresha e Institutit Shkencor Kosovaro-Suedez, Salihe Salihu, theksoi se demonstratat e vitit 1981 ishin një ngjarje historike që përcaktoi dhe drejtoi rrugën e nevojshme për popullin shqiptar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në kërkim të të drejtave të tyre brenda Jugosllavisë.

Historiani Ibrahim Gashi, në këtë konferencë foli për ndikimin e  demonstratave studentore të vitit 1981 në formësimin e kulturës politike për shtet të pavarur. Po ashtu, tregoi edhe përjetimet që Kosova kishte kaluar në ato vite. Në fjalën e tij përmendi disa nga studiuesit dhe gazetat e atëhershme të cilët kishin shkruar dhe reaguar për ngjarjet paraardhëse dhe pasardhëse që lidheshin me të drejtat e shqiptarëve dhe demonstratat e vitit 1981.

Në 11 marsin e vitit 1981 studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës organizuan një demonstratë masive, si përgjigje kundër dhunës që u përdor për të shtypur protestat spontane të studentëve, ku ata kërkonin trajtim dinjitoz dhe ushqim, në mensën e studentëve, në datën 4 mars 1981.

Edhe më 4 mars por edhe më 11 mars, shërbimi policor jugosllav pas intervenimeve brutale ndaj studentëve të revoltuar paraburgosi një numër të madh studentësh shqiptar, ndërsa kishte edhe të vrarë.

Shqiptarët nga krahina të ndryshme në ish-Jugosllavi i dhanë mbështetje të madhe demonstratave të nisura nga studentët, të cilat vazhduan edhe më 26 mars si dhe në fillim të prillit 1981. Ata u përkrahën nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe me profesione të ndryshme, ku më pas kërkesave për dinjitet në kushtet e trajtimit të studentëve dhe për ndaljen e dhunës policore, shtuan edhe kërkesën për të drejta politike të shqiptarëve.

Lidhur me konferencën, në Bibliotekën Kombëtare nga Agjencia Shtetërore e Arkivave u hap ekspozita “Vullkani i Republikës”.

 

Thirrja e Konferencës

Linku 

Fotot e lajmit

tp-bottom