Zhvillohen takimet virtuale me ekspertë ndërkombëtarë për ri-akreditim të programeve

Zhvillohen takimet virtuale me ekspertë ndërkombëtarë për ri-akreditim të programeve

Në kuadër të procesit të ri-akreditimit të programeve, të enjten, janë zhvilluar takimet virtuale me ekspertë ndërkombëtarë për programet e Fakultetit të Edukimit, Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ).

Në Fakultetin e Edukimit, procesit të riakreditimit do t’i nënshtrohen programet Fillor (BA) dhe Parashkollor (BA). Në Fakultetin e Mjekësisë procesit të riakreditimit do t’i nënshtrohet programi Infermieri dhe  programi i ri Fizioterapi në nivelin baçelor, për të cilin është aplikuar në procesin e akreditimit. Ndërsa, në Fakultetin e Filologjisë procesit të akreditimit do t’i nënshtrohet programi Gjuhë Angleze – Përkthim dhe interpretim.

Në ditën e dytë të këtij procesi,  në takimet virtuale me grupi i ekspertëve ndërkombëtarë për Fakultetin e Mjekësisë, i përbërë nga Prof. Dr. Danica Zeleznik nga Kolegji Universitar i Shkencave Shëndetësore, Gradec, Slloveni, Znj. Delia Gologan nga Universiteti i Bukureshtit, për Fakultetin e Edukimit, i përbërë nga Prof. Dr. Janez Kerk dhe Prof. Dr. Janez Vogrinc nga Universiteti i Lubjanës, dhe për Fakultetin e Filologjisë, për programin Gjuhë Angleze – Përkthim dhe interpretim, i përbërë nga Prof. Dr. Andrew Goodspeed nga Universiteti i Evropës Juglindore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u zhvilluan takime virtuale për këtë proces me grupe të organizuara nga fakultetet.

Takimin e parë me ekspertët ndërkombëtarë  e kanë mbajtur menaxhmentet e fakulteteve, ndërsa më pas janë zhvilluar takime edhe me përgjegjësit e cilësisë, stafin akademik, studentët, të diplomuarit, punëdhënësit e të diplomuarve dhe palët e jashtme të interesit.

Zyrtari për Sigurim të Cilësisë, z. Daut Islami, tha se takimet me ekspertë kanë shkuar shumë mirë, dhe e vlerësoi organizimin e bërë për këtë proces nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA). Z. Islami theksoi se në UFAGJ ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm sa i përket procesit të ri-akreditimit të programeve për çka falënderoi të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar.

Paraprakisht ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët për shkak të pandemisë takimet i zhvillojnë virtualisht, u është dërguar një videoxhirim i kampusit, sallave, kabineteve etj, ku zhvillohet procesi mësimor.

Procesi i akreditimit përfshin sigurimin e brendshëm dhe sigurimin e jashtëm të cilësisë, i cili vazhdon të mbetet mjeti kryesor për vendosjen e standardeve të cilësisë në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë.

Fotot e lajmit

tp-bottom