Mbahen takimet me ekspertë ndërkombëtarë për ri-akreditimin e programeve në Fakultetin e Filologjisë dhe Fakultetin e Shkencave Sociale

Mbahen takimet me ekspertë ndërkombëtarë për ri-akreditimin e programeve në Fakultetin e Filologjisë dhe Fakultetin e Shkencave Sociale

Në kuadër të procesit të ri-akreditimit të programeve, të mërkurën, janë zhvilluar takimet virtuale me ekspertë ndërkombëtarë për programet e Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ). Në këtë proces në Fakultetin e Filologjisë janë programet: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi (baçelor dhe master) dhe në Fakultetin e Shkencave Sociale është programi: Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale (BA).

Në ditën e parë të këtij procesi,  në takimet virtuale me eksperten ndërkombëtare për Fakultetin e Filologjisë, Prof. Dr. Dhurata Shehri, nga Universiteti i Tiranës, dhe grupi i ekspertëve ndërkombëtarë për Fakultetin e Shkencave Sociale, i përbërë nga Prof. Dr. Milan Pol, nga Universiteti Masaryk dhe Znj. Marija Vasilevska, u zhvilluan takime virtuale për këtë proces me grupe të organizuara nga fakultetet. Takimin e parë me ekspertët ndërkombëtarë  e kanë mbajtur menaxhmentet e fakulteteve, ndërsa më pas janë zhvilluar takime edhe me përgjegjësit e cilësisë, stafin akademik, studentët, të diplomuarit, punëdhënësit e të diplomuarve dhe palët e jashtme të interesit.

Në ditët në vazhdim, takime të tilla në kuadër të procesit të ri-akreditimit do t’i nënshtrohen edhe Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti i Mjekësisë.

Dekanët e fakulteteve, Prof. Asoc. Dr. Kamber Kamberi dhe Prof. Ass. Dr. Shqipe Husaj, thanë se takimet me ekspertë kanë shkuar shumë mirë, dhe e vlerësuan organizimin e bërë për këtë proces nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA). Dekanët theksuan se në UFAGJ ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm sa i përket procesit të ri-akreditimit të programeve për çka falënderuan të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar.

Paraprakisht ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët për shkak të pandemisë takimet i zhvillojnë virtualisht, u është dërguar një videoxhirim i kampusit, sallave, kabineteve etj, ku zhvillohet procesi mësimor.

Procesi i akreditimit përfshin sigurimin e brendshëm dhe sigurimin e jashtëm të cilësisë, i cili vazhdon të mbetet mjeti kryesor për vendosjen e standardeve të cilësisë në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë.

Fotot e lajmit

tp-bottom