Rektori Nimani pret në takim ish-presidenten e Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga

Rektori Nimani pret në takim ish-presidenten e Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani, i shoqëruar nga prorektoret, Prof. Ass. Dr. Vjollca Dibra dhe Prof. Ass. Dr. Laura Naka, Prof. Ass. Dr. Haxhi Kamberi dhe Sekretarja e Përgjithshme, znj. Linda Dula Halilabazi, pritën në takim Znj. Atifete Jahjaga dhe bashkëpunëtoret e saj nga “Fondacioni Jahjaga”.

Rektori Nimani e falënderoi Znj. Jahjaga për vizitën në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, njëkohësisht e cilësoi takimin si mjaft të rëndësishëm. Ai i informoi për zhvillimet në universitet, lidhur me projektet, për arritjet e universitetit, ecurinë e proceseve, funksionimin e universitetit, duke theksuar bashkëpunimet me institucionet që janë në shërbim të komunitetit.

Znj. Atifete Jahjaga shprehu falënderim për pritjen dhe përgëzoi stafin menaxherial, stafin akademik dhe administrativ për punën e bërë në arritjen e sukseseve të shumtatë UFAGJ-së. Znj. Jahjaga tha se ndjehet e lumtur që  Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë përbëhet nga 78% e studentëve të gjinisë femërore. Po ashtu, ish-presidentja e Kosovës, premtoi se do të angazhohet në promovimin e UFAGJ-së në rrjetin e universiteteve ndërkombëtare.

Brikena Avdyli, Drejtoreshë Ekzekutive e “Fondacionit Jahjaga” falënderoi për pritjen dhe siguroi që do të përkushtohet që UFAGJ-ja të bëhet partner për bashkëpunim në projekte që janë në interes të komunitetit. Po ashtu, shpalosi strategjinë dhe planin e punës të “Fondacionit Jahjaga”, e cila ka synim përfshirjen sociale dhe mbështetjen e grupeve të margjinalizuara, si kusht fillestar për ndërtimin e paqes në rajon.

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani dhe ish-presidentja e Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga, janë pajtuar që në të ardhmen e afërt këtë nismë ta konkretizojnë në marrëveshje bashkëpunimi për të jetësuar projekte të përbashkëta, përfshirë ndërkombëtarizimin e aktiviteteve kërkimore dhe trajnuese, identifikimin e strategjive të reja në aspektin social dhe kulturor, shpërndarjen e njohurive dhe përvojave në hapësirat e operimit të të dy institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për të mbështetur shkëmbimin e përvojave ndërmjet palëve.

Universiteti “Fehmi Agani” dhe “Fondacioni Jahjaga” e vlerësojnë të rëndësishëm krijimin dhe forcimin e bashkëpunimit institucional, që kanë për synim shërbimin në komunitet.

Fotot e lajmit

tp-bottom