
Urimi i Rektorit Nimani për nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
Në emër të studentëve, stafit, organeve menaxhuese dhe drejtuese të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë ju uroj Ditën e Pavarësisë së Kosovës, një të ardhme të ndritur, një zhvillim të qëndrueshëm dhe shumëzimin e arritjeve!
Së bashku me urimin sot është dita për të kujtuar me krenari dhe mirënjohje të thellë kombëtare të gjithë ata që për dekada kanë kontribuar, sakrifikuar dhe ata që u flijuan për realizimin e këtij misioni, shpalljen e Pavarësisë për Kosovën.
Pavarësia, si një simbol i lirisë, drejtësisë dhe paqes, paraqet detyra të reja për ne, secili prej nesh duhet të kontribuojë në mbrojtjen dhe ruajtjen e shtetësisë sonë, të punojë për të mirën e njerëzve dhe të përpiqet ruajtja e vlerave kombëtare.
Zhvillimi i mundshëm njerëzor është vlera kryesore e Pavarësisë, sepse prosperiteti konkurrues i vendit tonë varet nga zhvillimi gjithëpërfshirës i secilit prej nesh. Në këtë drejtim, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë po punon shumë për të edukuar dhe trajnuar breza të rinj.
Rrezet e Pavarësisë le të ndriçojnë tokën tonë dhe të sjellin te secili nga ne paqe, lumturi dhe prosperitet dhe fqinjësi të mirë.
Ju uroj 13 vjetorin e Pavarësisë! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Prof. Ass. Dr. Artan Nimani
Rektor i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë