Universiteti i Gjakovës dezinfekton hapësirat në gjithë kampusin
Bazuar në vendimin e Rektorit të UGJFA-së, Prof. Ass. Dr.Artan Nimani, pika 1: “Të ndërmerren masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha hapësirat sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike, si dhe të furnizohen mjaftueshëm me dezinfektues të duarve dhe mjeteve tjera të nevojshme higjienike”, sot, e tërë hapësira e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” u dezinfektua, për shkak të rrezikshmërisë së përhapjes së virusit COVID-19 dhe ka filluar aplikimin e masave të Qeverisë së Kosovës për tu mbrojtur nga Koronavirusi.
Në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shtabi i emergjencave të UGJFA-së, i udhëhequr nga Prorektori Haxhi Kamberi, doktor i shëndetit publik po kujdeset që në përpikëri të zbatohen udhëzimet e Qeverisë dhe të Rektorit, duke i ndërmarrë të gjitha masat parandaluese për të siguruar një ambient të shëndetshëm për stafin dhe studentët.
Kështu ka filluar të bëhet dezinfektim i gjithë kampusit, përfshirë zyrat, kabinetet, sallat e mësimit, hollet dhe në përgjithësi ambienti i Universitetit, që ka për qëllim përforcimin higjieniko-sanitar.