Shpërndahen certifikatat për studentët tutorë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë
Me datë 23.12.2025, në kuadër të veprimtarive të Qendrës Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie (QDPM) në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, u organizua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për studentët tutorë, të cilët kanë qenë të angazhuar gjatë semestrit veror të vitit akademik 2024/2025 në të gjitha njësitë akademike të Universitetit.
Në këtë aktivitet morën pjesë udhëheqësja e QDPM-së, Prof. Dr. Sindorela Doli, u.d. udhëheqësja e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë, znj. Qëndresa Bardhoshi, si dhe studentët tutorë të këtij semestri, të cilët kanë kontribuar drejtpërdrejt në mbështetjen akademike të studentëve të Universitetit.
Takimin e hapi Prof. Dr. Sindorela Doli, e cila në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi studentët tutorë për përkushtimin, përgjegjësinë dhe punën e palodhshme, duke theksuar rolin e rëndësishëm që sistemi tutorial ka në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe rritjen e rezultateve akademike të studentëve. Ajo vlerësoi angazhimin e tyre si një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet studentëve dhe strukturave akademike të Universitetit.
Gjatë takimit, studentët tutorë patën mundësinë të ndajnë përvojat e tyre praktike, të diskutojnë mbi sfidat e hasura gjatë procesit të tutorimit, si dhe të prezantojnë praktika të mira dhe sugjerime për avancimin e mëtejmë të këtij programi në të ardhmen. Diskutimi u vlerësua si konstruktiv dhe i dobishëm për përmirësimin e vazhdueshëm të këtij mekanizmi mbështetës për studentët.
Në përmbyllje të aktivitetit, u bë ndarja e certifikatave për të gjithë studentët tutorë, si shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi institucional për kontributin e tyre akademik dhe profesional. Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar në fuqizimin e roleve aktive të studentëve dhe në promovimin e iniciativave që kontribuojnë në cilësinë dhe përsosmërinë në mësimdhënie.