.jpg)
Fakulteti i Shkencave Sociale anëtarësohet në Asociacionin Ndërkombëtar të Shkollave për Punë Sociale - IASSW
Fakulteti i Shkencave Sociale në kuadër të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë është anëtarësuar në Asociacionin Ndërkombëtar të Shkollave për Punë Sociale. Ky anëtarësim është i rezultat i bashkëpunimit të Stafit Akademik me Menaxhmentin dhe Këshillin Drejtues të UFAGJ-së. Anëtarësimi është për periudhën 1 (një) vjeçare me mundësi vazhdimi dhe është i një rëndësie të veçantë jo vetëm në sfondin e punës sociale, por edhe për fuqizimin e rolit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare.
Asociacioni Ndërkombëtar i Shkollave për Punë Sociale – IASSW ka për qëllim që të zhvillojë dhe promovojë përsosmërinë në arsimin, kërkimin dhe studimet në punë sociale në nivel global, me qëllim rritjen e drejtësisë sociale, të drejtave të njeriut dhe mirëqenies njerëzore. IASSW punon për një komunitet dinamik të edukatorëve dhe programeve të punës sociale dhe mbështesim e lehtësojmë pjesëmarrjen në shkëmbimet e ndërsjella të informacionit dhe ekspertizës. Gjithashtu, IASSW përfaqëson arsimin e punës sociale në nivel ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara.
Përmes anëtarësimit, Fakulteti i Shkencave Sociale përfiton: në të drejtën për të marrë pjesë në qeverisjen e Asociacionit përmes zgjedhjeve dhe Asamblesë së Përgjithshme, fuqizim të diplomacisë kulturore të Kosovës në sfondin e shkencës dhe të punës sociale, rritje e bashkëpunimit me institucionet/organizatat simotra të cilat kanë fokus punën sociale, ngritje e cilësisë së mësimit, stafit akademik dhe vetë studentëve, mundësi e vizitave studimore me qëllim të shkëmbimit të informatave, mundësi për të aplikuar dhe për të përfituar nga projektet dhe fondet e IASSW për përmirësimin e edukimit për punën sociale, siç është Qendra Rajonale e Burimeve, qasje në një rrjet mbarë botëror të edukatorëve të punës sociale përmes konferencave, seminareve, shkëmbimeve dhe shërbimeve të listave, pjesëmarrja në nominimet për nderimin e edukatorëve të punës sociale siç është Çmimi ‘Katherine Kendall’, qasje falas në faqen e internetit të IASSW, revista në internet Dialogu Social, si dhe përfitime të tjera.
Njëherit anëtarësimi në këtë organizatë me renome ndërkombëtare, është një ndër zbatimet e rekomandimeve nga Agjencioni i Akreditimit të Kosovës për Fakultetin e Shkencave Sociale me programin ‘Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale’.