U shënua 4-vjetori i themelimit të Fakultetit të Shkencave Sociale
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë me datë 14. 11. 2024, shënoi 4-vjetorin e themelimit të Fakultetit të Shkencave Sociale me një ceremoni të organizuar në praninë e studentëve, stafit akademik dhe drejtuesve të institucionit.
Rektori i universitetit, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, mbajti një fjalim përshëndetës për të uruar dhe për të vlerësuar arritjet e fakultetit që nga themelimi i tij. Ai u shpreh mirënjohës për përkushtimin e stafit dhe sukseset e studentëve, të cilët përbëjnë bazën e forcës së këtij fakulteti.
Pastaj, prodekani Prof. Ass. Dr. Sherif Sejdiu, vlerësoi kontributin e stafit dhe të studentëve në ngritjen e imazhit të fakultetit.
Në vijim, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, vlerësoi zhvillimet e këtij fakulteti gjatë katër viteve të fundit teksa foli edhe për synimet për të ardhmen para të pranishmëve.
Gjatë këtij organizimi u paraqit edhe një prezantim i veprimtarisë së intelektualit Fehmi Agani, emrit të të cilit i është dedikuar universiteti, duke sjellë në vëmendje rolin e tij në promovimin e vlerave shoqërore dhe kulturore.
Gjatë ceremonisë, për angazhimin dhe kontributin e dhënë për avancimin e këtij fakulteti, rektori Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku u nderua me mirënjohje. Po ashtu u nderuan edhe ish-rektorët, Prof. Asoc. Dr. Zeqir Hashani dhe Prof. Asoc. Dr. Artan Nimani, si dhe studentja Arizona Syla.
Ceremonia u mbyll me fjalë falënderimi dhe urime për suksese të mëtejshme, duke shënuar kështu një moment të veçantë në historinë e Fakultetit të Shkencave Sociale.