Studentja nga UFAGj pjesëmarrëse e Universitetit Veror të Biznesit të Qëndrueshëm Silesian

Studentja nga UFAGj pjesëmarrëse e Universitetit Veror të Biznesit të Qëndrueshëm Silesian

Universiteti Veror i Biznesit të Qëndrueshëm Silesian i cili është një program arsimor gjithëpërfshirës që synon fuqizimin e studentëve me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të nxitur praktikat e qëndrueshme të biznesit në shekullin e 21-të kishte pjesëmarrëse studenten tonë Flaka Hoti. Ky program veror u ka ofruar studentëve një mundësi unike për të mësuar nga ekspertë të industrisë dhe profesionistë me përvojë, të cilët do të ndajnë njohuritë dhe ekspertizën e tyre mbi një sërë temash që lidhen me biznesin e qëndrueshëm.

Gjatë këtij universiteti veror, pjesëmarrësit morën pjesë në leksione interaktive, diskutime në grup, studime rasti dhe aktivitete praktike, të gjitha këto që synonin t'i ndihmonin ata të zhvillojnë një kuptim të thellë të koncepteve dhe strategjive kryesore për promovimin e praktikave të qëndrueshme të biznesit. Temat e mbuluara këtë shkollë verore të financuar plotësisht nga WSB University përfshinin menaxhimin e qëndrueshëm të zinxhirit të furnizimit, operacionet e përgjegjshme për mjedisin, marketingun me përgjegjësi shoqërore dhe shumë tema tjera interesante.

Shkolla Verore e Biznesit të Qëndrueshëm Silesian me 50 pjesëmarrës nga 30 shtete të ndryshme u zhvillua nga 18.07.2023 deri më 01.08.2023 dhe ishte e përbërë nga 3 faza: faza pare në punëtorinë online, shkolla verore në kampus dhe një takim pasues reflektues në internet.

Më 28 korrik 2023 në “Fabrikën e Jetës” në Dąbrowa Górnicza u zhvillua finalja e Sipërmarrësve të së nesërmes - Universiteti Veror i Biznesit të Qëndrueshëm Silesian. Kjo ngjarje prestigjioze u organizua nga Universiteti WSB si pjesë e programit arsimor ndërkombëtar Intensiv SPINAKER, financuar nga NAWA.

Një juri e përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë, përfaqësues nga biznesi, arsimi i lartë dhe

OJQ-të vlerësuan prezantimet e studentëve, të cilët kishin vetëm gjashtë minuta për të komunikuar idenë e tyre në formën e një 'pitch'. Kjo ishte mjaft sfidë pasi ata duhej të përballonin presionin e kohës, kompleksitetin dhe sofistikimin e projekteve të tyre dhe t'u përgjigjeshin pyetjeve të ekspertëve dhe ekipa ku studentja jonë Flaka Hoti së bashku me Megi Tahiri, studenten tjetër shqiptare nga Universiteti Bujqësor i Kamzës fituan çmimin e parë me ekipën e tyre me iden “Ferma e Insekteve – sigurimi i ushqim për njerëzit dhe kafshët”.

Pas fitimit të çmimit të parë Flaka Hoti ishprehet;

"Kjo përvojë studimore jashtë vendit më solli shumë avantazhe si nga aspekti akademik, kulturorë e social, e gjithashtu edhe një përvojë të re jetësore të paharrueshme. Fundi i kësaj eksperience u kurorëzua me fitore për mua dhe 3 kolegë të tjerë nga vendet ndërkombëtarë, ku projekti ynë “Insektet“ morri çmimin e parë si më i miri. Ky projekt ngërthen në vete e mundohet t’i arrijë disa nga objektivat globale, ndër të tjera objektivat shëndetësore dhe mjedisore. Jam tej mase falënderuese ndaj Universitetit “Fehmi Agani” për përkrahje dhe vlerësim“.

Fotot e lajmit

tp-bottom