UFAGJ vazhdon takimet me studentët e Alumni-t të Universitetit “Fehmi Agani” për plotësimin e pyetësorëve

UFAGJ vazhdon takimet me studentët e Alumni-t të Universitetit “Fehmi Agani” për plotësimin e pyetësorëve

Pas marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërmjet U.D. Prorektores për Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Gentiana Muhaxhiri dhe Zyrës për Sigurimin e Cilësisë të përfaqësuar nga zyrtari Daut Islami me drejtorët komunalë të Arsimit dhe Shëndetësisë në komunat kryesore prej nga vijnë studentët e UFAGj-së, është vazhduar puna me realizimin e pyetësorëve me studentët e Alumni-t, të cilët kanë qenë studentë në UFAGj dhe tashmë punojnë nëpër institucione të ndryshme në Kosovë, si dhe me punëdhënësit e tyre.

Gjatë ditës së sotme, zyrtari i UFAGj-së, z. Arjan Dobraj ka vizituar tri institucione të tjera arsimore në qytetin e Gjakovës, Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” ku është pritur nga drejtori Kastriot Sada, Qendrën Mësimore “Zgjimmi” ku është pritur nga stafi i kësaj qendre, si dhe SHFMU “Mustafa Bakija”, ku është pritur nga drejtoresha Zana Kurtishi-Rudi, të cilët janë shprehur falënderues për vizitën, duke theksuar njëkohësisht se janë shumë të kënaqur me përgatitjen profesionale që shfaqin mësimdhënësit që kanë përfunduar studimet në UFAGj.

Studentët e Alumni-t të Universitetit “Fehmi Agani” po e mirëpresin plotësimin e këtyre pyetësorëve dhe kanë falënderuar institucionin për kujdesin dhe rëndësinë që iu kushton edhe pas diplomimit.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë që nga themelimi ka ofruar degë studimi që përkojnë me kërkueshmërinë e tregut të punës në Republikën e Kosovës, por edhe në vendet jashtë saj, pasi studentët që kanë studiuar në UFAGJ tashmë punojnë edhe në institucione nëpër shtete të ndryshme në Evropë dhe botë.

UFAGJ do të vazhdojë me realizimin e pyetësorëve edhe në ditët në vazhdim me vizita të tjera nëpër institucione.

Fotot e lajmit

tp-bottom