Në UFAGJ u mbajt dita e parë e punëtorisë me temën “Metodat e avancuara të mësimdhënies”

Në UFAGJ u mbajt dita e parë e punëtorisë me temën “Metodat e avancuara të mësimdhënies”

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë përmes Qendrës Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie kanë organizuar trajnimin dy ditor me temat “Metodat e avancuara të mësimdhënies” dhe “Hulumtimi dhe publikimet shkencore”.

Dita e parë e trajnimit po zhvillohet nga trajnerët e certifikuar prej HERAS+ dhe UFAGJ: Prof.Asoc.Dr.Behxhet Gaxhiqi, Prof.Ass.Dr.Laura Naka, Prof.Ass.Dr.Venera Vala Kendusi dhe Ass. Zamira Gashi Shatri.

Me rastin e hapjes solemne të këtij trajnimi, rektori i Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës, Prof.Asoc.Dr. Artan Nimani, tha se këto trajnime janë në përputhshmëri të plotë me konceptet zhvillimore akademike që promovon Universiteti “Fehmi Agani”, për të gjithë stafin akademik e të gjitha programeve studimore të cilat ofrohen në UFAGJ.

Në kuadër të këtij trajnimi të udhëhequr nga Koordinator i QDPM –së, Prof.Asoc.Dr.Behxhet Gaxhiqi, po shtjellohen një sërë temash që kanë në qendër të tyre metodat e avancuara të mësimdhënies dhe ngritjen e cilësisë së mësimdhënies.

Në ditën e parë të trajnimit u zhvilluan 7 seanca ku u trajtuan këto tema: Hyrje - Objektivat e trajnimit dhe pritshmëritë e trajnimit, Teoritë dhe Stilet e të nxënit, Hartimi i syllabusit, Standardet e Sigurimit të Cilësisë në shërbim të mësimdhënësve, Mësimdhënia e orientuar në zhvillim të kompetencave, Hartimi i rezultateve të të nxënit në bazën e taksonomisë së Blumit, Procesi i Vlerësimit si dhe përmbledhje e temave të trajtuara.

Fotot e lajmit

tp-bottom