KShC merr vendim për ri-akreditim 3 vjeçar të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë

KShC merr vendim për ri-akreditim 3 vjeçar të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë

Në mbledhjen e datës 19 korrik 2021, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Republikës së Kosovës ka analizuar dhe votuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë mbi vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë. Sipas votimit të KShC-së, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë është ri-akredituar në nivel institucional për periudhën 3 vjeçare (1 tetor 2021 – 30 shtator 2024).

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, prof. ass. dr. Artan Nimani, shprehet i lumtur që UFAGj ka marrë vlerësim të lartë nga ekspertët ndërkombëtarë dhe është votuar për akreditimin e tij. Për këtë vendim të rëndësishëm, rektori Nimani uron studentët, stafin akademik, stafin administrativ dhe të gjithë qytetarët.

“Jam shumë i lumtur dhe i gëzohem vendimit të KShC-së për ri-akreditimin e UFAGj-së edhe për 3 vjet. Me këtë rast, përzemërsisht i uroj studentët, stafin akademik, stafin administrativ dhe të gjithë qytetarët. Po ashtu, shpreh falënderim për stafin akademik dhe administrativ, menaxhmentet e fakulteteve, studentët dhe partnerët për përkushtimin dhe punën e palodhshme të bërë për ngritjen e cilësisë së institucionit”, shprehet rektori Nimani.

Procesi i vlerësimit institucional nga ekspertët ndërkombëtarë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë është zhvilluar në shkurt të këtij viti. Për ri-akreditimin e UFAGj-së, ekspertët kanë mbajtur takime dhe e kanë vlerësuar institucionin në nivele të ndryshme, duke filluar nga ai menaxherial, akademik dhe administrativ, nivelin e studentëve, të diplomuarit, si dhe punëdhënësit.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë është në pritje të vendimeve nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për riakreditimin e programeve aktuale, si dhe akreditimin e programeve të reja shumë atraktive, të cilat kanë marrë rekomandime pozitive. Në Fakultetin e Edukimit pritet vendimi për  riakreditimin e programit Fillor (BA) dhe Parashkollor (BA). Në Fakultetin e Mjekësisë, riakreditimi i programit Infermieri dhe  programet e reja Fizioterapi (BA), Shëndet Publik (BA) dhe Menaxhim Shëndetësor (MA). Në Fakultetin e Filologjisë, akreditimi i programit Gjuhë Angleze – Përkthim dhe interpretim (BA) dhe programi Gjuhë Shqipe dhe Letërsi (BA) – 4 vjeçar. Ndërsa, në Fakultetin e Shkencave Sociale pritet vendimi për akreditimin e programit Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale (BA). UFAGj do të vazhdojë të jetë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e tregut të punës në Kosovë.

Vendimi

 

 

  

tp-bottom