Laboratori i Infermierisë 3
Laboratori Nr. III i Fakultetit të Mjekësisë është një mjedis modern mësimor dhe praktik, i projektuar për zhvillimin e kompetencave profesionale të studentëve në fushën e shkencave mjekësore. Përmes simulimit klinik dhe pajisjeve bashkëkohore, studentët kanë mundësi të përvetësojnë dhe të ushtrojnë procedurat bazë dhe të avancuara të kujdesit shëndetësor në një mjedis të sigurt dhe të kontrolluar.
Laboratori është i pajisur me manekinë multifunksionalë për simulime klinike, manekinë për reanimim kardiopulmonar (CPR), modele për identifikimin dhe monitorimin e shenjave vitale, manekinë për vendosjen e sondës nazogastrike, kolostomës dhe gastrostomës, manekinë për intubim, monitorë modernë të pacientit dhe monitorë transportues, modele anatomike të muskulit gluteal për aplikimin e injeksioneve intramuskulare, modele të duarve për sigurimin e vijës venoze, inkubator neonatal, manekinë neonatalë, manekinë simulatorë për procesin e lindjes, si dhe shtretër elektrikë multifunksionalë për ushtrimin e procedurave të kujdesit infermieror dhe klinik.
Falë infrastrukturës moderne dhe pajisjeve të avancuara, Laboratori Nr. III ofron një mjedis bashkëkohor për mësim praktik, simulim klinik dhe zhvillimin e aftësive profesionale, duke kontribuar në përgatitjen e studentëve sipas standardeve moderne të arsimit në shkencat mjekësore dhe shëndetësore.
|
|
|