Bordi për Inovacion dhe Ndërmarrësi i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, urë lidhëse ndërmjet Universitetit dhe komunitetit
Më datë 05.11.2026, Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, së bashku me Prorektorët e UFAGj, mbajtën takim me Bordin për Inovacion dhe Ndërmarrësi të UFAGj, gjatë së cilës u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me forcimin e bashkëpunimit të Universitetit me komunitetin, institucionet partnere dhe tregun e punës, si dhe krijimin e mundësive më të mira për zhvillimin profesional të studentëve.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Universitetit dhe komunitetit, si një element thelbësor për përmirësimin e cilësisë së arsimit, përafrimin e programeve të studimit me nevojat e tregut të punës dhe rritjen e kontributit të Universitetit në zhvillimin lokal.
Një ndër temat kryesore ishte ecuria e praktikave profesionale të studentëve në institucionet partnere, niveli i përgatitjes së tyre profesionale dhe kënaqshmëria e punëdhënësve me njohuritë dhe shkathtësitë e studentëve.
Përfaqësuesit e sektorit të shëndetësisë diskutuan për zhvillimet e fundit në këtë fushë në Komunën e Gjakovës, duke theksuar rëndësinë e organizimit të takimeve më të shpeshta ndërmjet stafit të Fakultetit të Mjekësisë, Spitalit dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit në funksion të zhvillimit profesional të studentëve.
Gjatë mbledhjes u zgjodh edhe udhëheqja e re e Bordit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, ku kryesues u zgjodh z. Arben Koshi, Drejtor i QKMF-së në Gjakovë, ndërsa zëvendëskryesuese znj. Yllka Juniku Shehu. Të dy shprehën përkushtimin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të Bordit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit dhe komunitetit. Gjithashtu, Bordi u plotësua me anëtarë të rinj.
Në takim u diskutua edhe mundësia që mbledhjet e ardhshme të Bordit të organizohen me rotacion në institucionet që përfaqësohen në këtë organ, me qëllim të njohjes më të afërt me veprimtarinë e tyre dhe zgjerimit të mundësive për bashkëpunim.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë e konsideron bashkëpunimin me komunitetin një pjesë të rëndësishme të misionit të tij, duke synuar që, përmes partneriteteve të qëndrueshme, të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të rajonit, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen e studentëve për tregun e punës.