Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë u mbajt Pop-Up Innovation Lab, në kuadër të projektit “StartLab360”
Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë u mbajt Pop-Up Innovation Lab, në kuadër të projektit “StartLab360”, të financuar nga BOOST Balkans, ALDA Balkans dhe AFD (Agjencia Franceze e Zhvillimit). Aktiviteti u organizua nga Instituti Edutask dhe mblodhi të rinj të cilët më parë kishin përfunduar trajnimet “Ndërmarrësia” dhe “Orientimi në Karrierë”.
Pop-Up Innovation Lab përbën hapin e tretë të projektit “StartLab360” dhe kishte për qëllim angazhimin e të rinjve në identifikimin e sfidave lokale dhe zhvillimin e zgjidhjeve kreative, praktike dhe të zbatueshme për komunitetin.
Gjatë laboratorit, pjesëmarrësit, të mbështetur nga mentorë, punuan në ekipe dhe zhvilluan idetë e tyre nga faza e konceptit deri te prototipi dhe prezantimi i tyre. Fokusi i punës ishte në fusha me rëndësi për zhvillimin lokal, përfshirë punësimin, ndërmarrësinë, zhvillimin rural, mbrojtjen e mjedisit dhe nevojat e komunitetit lokal.
Përmes këtij aktiviteti, të rinjtë zbatuan në praktikë njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë trajnimeve, duke zhvilluar njëkohësisht aftësi në punën ekipore, kreativitetin, zgjidhjen e problemeve dhe inovacionin.
Në hapin e fundit të projektit, pjesëmarrësit do të mblidhen në një Forum Kombëtar, ku do të kenë mundësinë t'i prezantojnë idetë e tyre para përfaqësuesve të bizneseve, organizatave, institucioneve dhe zyrtarëve komunalë. Ky forum synon të krijojë mundësi për mbështetjen dhe avancimin e ideve të zhvilluara, me qëllim që ato të shndërrohen në iniciativa konkrete dhe të kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve lokale.