Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” boton librin studimor Të Prof.Asoc.Dr. Besim Muhadrit “Shtjefën Gjeçovi Dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”
Libri botohet me rastin e 91-vjetorit të vrasjes së atdhetarit, studiuesit, arkeologut, etnologut dhe i shumë fushave të tjera, Atë Shtjefën Gjeçovit
Sot ( më 12 tetor 2020) ka dalë nga shtypi libri i profesorit të fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Gjakovës, Prof.Asoc.Dr. Besim Muhadri “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”.
Dalja në dritë e këtij libri të profesor Muhadrit vjen pas një pune të gjatë kërkimi dhe studimi për jetën dhe veprën e Shtjefën Gjeçovit. Në këtë rast autori është fokusuar në kryeveprën e Gjeçovit Kanuni i Lekë Dukagjinit, e cila e pa dritën e botimit katër vite pas vrasjes së autorit të saj nga regjimi pushtues serb e jugosllav, me 14 tetor të vitit 1929, në Zym të Hasit.
Profesor Besim Muhadri në librin e tij më të ri, hedh dritë edhe për vrasjen e Gjeçovit, reagimin e shtetit të atëhershëm shqiptar në lidhje me këtë vrasje si dhe për jehonën e shtypit e të asaj kohe që i bënte asaj vrasjeje mizore të një intelektuali dhe atdhetari të profilit të lartë, siç ishte Gjeçovi.
Në pjesën e dytë të librit të tij studimor profesor Besim Muhadri është fokusuar tek Kanuni i Lekë Dukagjinit, përkatësisht te rëndësia e kësaj vepre monumentale të së drejtës sonë zakonore, mbledhur dhe kodifikuar nga Atë Shtjefën Gjeçovi. Autori ka vënë në spikamë reagimin e studiuesve, qoftë atyre të huaj, qoftë shqiptarë në lidhje me Kanunin e Lekë Dukagjinit, vepër e cila deri më tani është përkthyer në dhjetëra gjuhë të huaj. Interesimi për këtë vepër monumentale të popullit shqiptar, vazhdon edhe në ditët tona dhe madje ka arritur edhe deri në Amerikë e Japoninë e largët.
Vepra “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” i prof. Aso.dr.Besim Muhadrit, është një kontribut i radhës i këtij studiuesi, që, me sigurinë më të madhe, do bë zgjojë interesim tek studiuesit e shumtë të veprës së Gjeçovit dhe të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Profesor Besim Muhadrit i urojmë sukses dh botime të tjera!
Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”
Prof.Ass.Dr. Artan Nimani