Rektori Nimani priti në takim z. Besnik Tahirin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës
Rektori, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani ka pritur për vizitë në Univeritetin e Gjakovës “Fehmi Agani” zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës z. Besnik Tahiri, ku biseduan për çështje të ndryshme zhvillimore të Universitetit.
Rektori Nimani u shpreh falënderues për gatishmërinë, përkrahjen dhe vizitën e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës z. Besnik Tahirin me bashkëpunëtorë në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”.
Gjatë takimit, Rektori Nimani e informoi z. Tahiri për të arriturat e UGJFA-së, ndërkombëtarizimin dhe për bashkëpunimet e Universitetit me institucione dhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare si dhe për përgatitjet për nisjen e kampusit universitar të UGJFA-së, për të cilin janë në përfundim të disa procedurave dhe parashihet që punimet të nisin në muajin tetor. Po ashtu, rektori Nimani ka ngritur shqetësimet rreth vonesës në procesin e akreditimit të programeve studimore, të cilat tashmë u janë dorëzuar Komisionit të ankesave.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, z. Besnik Tahiri u ndje i kënaqur me pritjen që iu bë nga rektori Nimani me bashkëpunëtorë në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” dhe bëri të ditur se Qeveria e Kosovës do të ofrojë mbështetjen e saj si në administratë ashtu edhe në infrastrukturë. Po ashtu, premtoi se shqetësimet e rektorit Nimani do t’i ngrisë në institucionet përgjegjëse.