Punëtori mbi Eksperimentet Edukative dhe Edukimin Mjedisor për Fëmijë

Punëtori mbi Eksperimentet Edukative dhe Edukimin Mjedisor për Fëmijë

Në laboratorin e Shkencave të Natyrës të Fakultetit të Edukimit, në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, u organizua punëtoria me temën “Eksperimente Argëtuese dhe Edukative për Fëmijë dhe Metodat për Edukimin Mjedisor”, e udhëhequr nga Ass. MSc. Vllaznim Mula, PhD (c). Kjo punëtori u zhvillua në kuadër të projektit TAKE (Together Advancing Kosovo’s Training and Employment within the Education Sector), i mbështetur nga Caritasi Zviceran (CACH) dhe i implementuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, me përfshirjen e të gjitha fakulteteve të edukimit në universitetet publike të Kosovës.

Qëllimi kryesor ishte zhvillimi i aftësive profesionale të edukatorëve përmes metodave eksperimentale në arsimin parashkollor, duke integruar koncepte nga kimi, fizika dhe biologjia. Pjesëmarrësit patën mundësinë të angazhohen në eksperimente interaktive, të sigurta dhe të thjeshta për zbatim, duke nxitur kureshtjen dhe të nxënit praktik tek fëmijët.

Një moment i veçantë ishte ndarja e përvojës nga Fitore Panduri, ish-studente e universitetit dhe edukatore, e cila prezantoi praktikat e saj të suksesshme në zbatimin e eksperimenteve shkencore me fëmijët.

Në sesionin e pasdites, fokusi kaloi te edukimi mjedisor, ku u diskutua rëndësia e ndërgjegjësimit ekologjik dhe qëndrueshmërisë përmes aktiviteteve ndërvepruese. Punëtoria u përmbyll me një reflektim të hapur, ku pjesëmarrësit ndanë ide mbi zbatimin e eksperimenteve në klasat e tyre dhe theksuan nevojën për trajnime të mëtejshme.

Ky trajnim pati një ndikim të madh, duke pajisur edukatorët me njohuri të vlefshme për të integruar eksperimentet shkencore në arsimin e hershëm dhe për të zhvilluar një qasje inovative ndaj mësimdhënies.

Fotot e lajmit

tp-bottom