Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë

Në një hap të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë dhe bashkëpunimit ndëruniversitar, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi më 25 nëntor 2024. 

Përfaqësueset e Universitetit Katolik “ Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë u pritën në ambientet e rektoratit nga Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Ass. Dr Nazli Tyfekçi, dhe Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje për Studentë, Prof. Ass. Dr. Dafinë Kaçuri.

Marrëveshja është realizuar pas bashkëpunimit të sukseshëm që po zhvillohet në mes të dy universiteteve në kuadër të projektit “Terapia farmakologjike, trajtimi fizioterapeutik dhe përfitimet e rehabilitimit me hidroterapi tek fëmijet me paralizë cerebrale infantile” të financuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Agjencia Kombëtare  për Kërkim Shkencor dhe Inovacion e Shqipërisë dhe të udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Malvina Hoxha nga institucioni partner dhe Prof. Ass. Dr. Arben Boshnjaku nga UFAGJ. 

Marrëveshja, synon zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe shkencore. Ky bashkëpunim përfshin shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, krijimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe organizimin e projekteve kërkimore e konferencave. 

Të dy universitetet synojnë të kontribuojnë në avancimin e arsimit dhe shkencës përmes ndarjes së përvojave dhe ekspertizës. 

Marrëveshja reflekton përkushtimin e UFAGJ-së për të zgjeruar horizontet dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në rajon dhe më gjerë.

 

Fotot e lajmit

tp-bottom