Fjala e Rektorit në ceremoninë e dorëzimit të diplomave studentëve të parë të diplomuar në UGJFA

Fjala e Rektorit në ceremoninë e dorëzimit të diplomave studentëve të parë të diplomuar në UGJFA


Pasi përshëndeti të pranishmit dhe Prof. Dr. Arsim Bajramin, Ministër i Arsimit shkencës dhe Teknologjisë, Rektori Prof. Dr. Shaban Buza tha:

Universiteti i Gjakovës që së shpejti do të mbushi katër vite të themelimit, studentët e parë i ka regjistruar në vitin akademik 2013/2014 dhe sot ka rreth 2800 studentë në tri Fakultete me shtatë programe dhe një personel akademik të rregullt prej 41 vetash, ka shumë studentë të dalluar që kanë fituar bursën e Universitetit dhe në muajt e fundit ka fituar edhe të diplomuarit e parë në nivelin Bachellor.

Sot është një ditë e shënuar për Universitetin tonë – Dita e ndarjes së diplomave të para në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”.  

U zgjodh muaji Janar sepse ky është muaji i lindjes së Profesorit dhe Akademikut të respektuar Fehmi Agani, emrin e të cilit ka nder ta ketë Universiteti i Gjakovës.

Diplomave Tua i është bashkangjitur edhe Shtojca e Diplomës duke na bërë Universitetin e parë Publik në Kosovë që aplikon ndarjen e njëhershme të të dyjave. 

Andaj, një përshëndetje e posaçme shkon për të diplomuarit e Fakultetit të Mjekësisë, programi Infermieri dhe Mami, për përkushtimin e tyre për të përvetësuar njohuritë më të mira dhe për të fituar kompetencat e nevojshme për të shërbyer për ngritjen e mirëqenies dhe shërbimit për qytetarët e vendit tonë!

Është një ditë e shënuar për familjet Tua duke i bërë krenar dhe duke Ju shpërblyer në mënyrën më të mirë sakrificën e bërë për shkollimin Tuaj!

Është një ditë e veçantë për Juve, se keni finalizuar një fazë të rëndësishme duke i hapur vetes shtigje për avancime të reja!

Me arritjet Tua mburremi edhe ne, por njëherë edhe obligohemi të punojmë në vazhdimësi në ngritjen e cilësisë me përvetësimin dhe futjen në jetë të  metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies dhe hulumtimit.

Diplomimi është kurorëzimi i përpjekjes së përbashkët të studentit, familjes dhe personelit akademik.

I gëzofshi diplomat me suksese të mëtejme në karrierën profesionale dhe në jetë!

Fotot e lajmit

tp-bottom