Përfaqësuesit e UGJFA pjesëmarrës në takimin e punës së projektit SOCRE në Universitetin Metropolia, Finlandë

Përfaqësuesit e UGJFA pjesëmarrës në takimin e punës së projektit SOCRE në Universitetin Metropolia, Finlandë


Takimi punues i projektit SOCRE (Developing Social Rehabilitation Through Education) në kuadër të programit ERASMUS+, ku Universiteti i Gjakovës bën pjesë, u mbajt në Universitetin Metropolia, Finlandë prej datës 29 Maj deri më 1 Qershor 2017. 
Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e 16 institucioneve pjesëmarrëse në projekt, nga vende të ndryshme si Finlanda, Belgjika, Portugalia, Holanda, Rusia dhe Kosova. Nga Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Fakulteti i Mjekësisë morën pjesë Rektori Prof. Dr. Shaban Buza, Dekani i Fakulteti të Mjekësisë Prof. Ass. Dr. Idriz Berisha dhe mësimdhënësit Dr. Skender Ukaj, Ass. Arben Boshnjaku MSc dhe Ass. Dr. Kushtrim Grezda.
Në këtë takim u trajtuan tema që kanë të bëjnë me krijimin e koncepteve të reja dhe metodologjitë e mësimdhënies në fushën e rehabilitimit social, të cilat praktikohen në institucionet e arsimit të lartë
në vendet e Bashkimit Evropian. Po ashtu, u dakordua që pjesëmarrësit nga Kosova, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” dhe Kolegji “Heimerer”, me përvojat e fituara gjatë këtij takimi të punës dhe
takimeve tjera të radhës (cikleve studimore), të punojnë bashkërisht në krijimin e një Doracaku për hartimin e kurrikulave dhe programeve të reja lidhur me rehabilitimin social që përfshin metodologjitë e reja, e që do të shërbejë si udhërrëfyes në mësimdhënie për personelin akademik të këtyre dy institucioneve.
Projekti SOCRE (Developing Social Rehabilitation Through Education) në kuadër të programit ERASMUS+ është i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe ka për qëllim përmirësimin e edukimit në rehabilitimin social përmes të mësuarit gjatë gjithë jetës, në përputhje me procesin e Bolonjës. Si dhe ngritjen e bashkëpunimit në mes institucioneve të arsimit të lartë, institucioneve të praktikës (klinikave dhe qendrave rehabilituese) dhe ministrive përkatëse.

Article Gallery

tp-bottom