lajm

Presidenti i Universitetit James Madison, z. Jonathan R. Alger vizitoi Universitein e Gjakovës “Fehmi Agani”

22/06/2017


Në kuadër të qëndrimit disa ditor në Kosovë, nën patronatin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Presidenti i Universitetit James Madison të SHBA-së, z. Jonathan R. Alger dhe delegacioni i Tij, vizituan Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”. Me këtë rast, me datë 20 qershor 2017 u mbajt konferenca  njëditore me titull “Udhëheqja dhe zhvillimi strategjik i arsimit të lartë”.  

Rektor Prof. Dr. Shaban Buza, ne fjalën e Tij të hapjes së konferencës, pasi përshëndeti të pranishmit, tha se është “Është një privilegj i veçantë që UGJFA-së iu besua nga MASHT të organizojë këtë konferencë në ditën e dytë të vizitës së delegacionit të James Madison University të kryesuar nga Presidenti Alger”.  Po ashtu, në fjalën e Tij njoftoi të pranishmit mbi qëllimet e konferencës, të cilat u adresuan dhe u diskutuan në panele të ndara. Këto çështje ishin: 

1. Zhvillimi strategjik i institucioneve të arsimit të lartë me misione unike që i përgjigjen nevojave të shoqërisë.

2. Fuqizimi i udhëheqësve dhe fakulteteve të secilit universitet, për të menaxhuar në mënyrë autonome programet e tyre akademike.

3. Përgatitja e studentëve për të qenë qytetarë efektivë dhe udhëheqës në një shoqëri demokratike.

Sesioni plenar vazhdoj me fjalët përshëndetëse të drejtoreshës së arsimit të lartë, znj. Drita Kadrija, Presidentit të Universitetit James Madison, z. Jonathan R. Alger dhe nënkryetarit të Komunës së Gjakovës, z. Alban Vokshi. Pastaj, pjesëmarrësit u ndanë në tri panelet për të diskutuar ]ështjet e adresuara dhe për të nxjerr përfundimet e konferencës. Përfundimet u paraqitën në sesionin përmbyllës nga Rektori Buza, Presidenti Alger dhe dy anëtarët tjerë të këtij delegacioni, Prof. Dr. Michael Stoloff dhe dr. Mark Varner. 

Në fjalën e tij përmbylljes, Presidenti Alger theksoj se partneriteti mes Kosovës dhe Universitetit James Madison do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen dhe studentët kosovarë do të kenë mundësi për studime në këtë universitet dhe në universitete të tjera amerikane.

Të ftuar dhe të pranishëm në konferencë ishin anëtarët e delegacionit të James Madison University, përfaqësues nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, Rektorët, Prorektorët dhe përfaqësuesit e studentëve të universiteteve publike në Kosovë, si dhe anëtarë të Këshillit Drejtues, Dekanë, Udhëheqës të drejtimeve dhe studentë të UGJFA-së.