Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vazhdon të shënojë ngritje në Webometrics

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vazhdon të shënojë ngritje në Webometrics

Sipas të dhënave të publikuara në Webometrics, në edicionin e janarit 2022 të rangimit, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë dukshëm ka shënuar progres, duke u ngritur për 1827 pozita më lartë nga viti 2021, i renditur në pozitën e 17685 në nivel botëror.

Prof. dr. Blerim Rexha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës ka shkruar rreth rangimit të universiteteve publike dhe private të Kosovës në Webometrics, ndërsa ka cituar Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, duke thënë se: “Nëse analizohen me kujdes numrat e përmbledhur në pesë vitet e fundit, shihet qartë se Universiteti i Gjakovës gradualisht ka bërë progres çdo vit”.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vazhdon të jetë i përkushtuar në zhvillimin e mëtejmë në fushën e kërkimit shkencor, duke mbështetur dhe përkrahur projektet dhe hulumtimet e stafit akademik dhe të studentëve.

Webometrics është ranglista më gjithëpërfshirëse e vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë, në të cilën vlerësohen mbi 31 mijë universitete nga e gjithë bota. Rangimi sipas Webometrics merr për bazë njohjen e nivelit të mirë të punës shkencore të botuar, si dhe përmbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit nga burimet elektronike nga institucionet përkatëse.

Transparent Ranking, siç quhet lista e top universiteteve nga citimet në Google Scholar, publikohet nga Këshilli i Lartë për Kërkime Shkencore i Spanjës, pjesë e të cilit është edhe grupi hulumtues Cybermetrix LAB.

Fotot e lajmit

tp-bottom