Filloi realizimi i projektit Erasmus+ Socre ku edhe UGJFA është partner
Me 6 Shkurt 2017 filloi takimi nismëtar i projektit të mbështetur nga
Komisioni Evropian përmes programit ERASMUS+ me titull “Zhvillimi i
rehabilitimit social nëpërmjet edukimit (Developing Social Rehabilitation
Through Education - SOCRE)”, në objektin e Kolegjit Heimerer në Prishtinë.
Ky projekt që do të implementohet në tri vite (15 tetor 2016 – 14 tetor 2019), udhëhiqet nga Universiteti Metropolia nga Helsinki i Finlandës dhe ka për partnerë 16 institucione nga Kosova, Finlanda, Belgjika, Portugalia, Holanda dhe Rusia, përfshirë edhe Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.
Qëllimi i këtij projekti është të përmirësojë edukimin në rehabilitimin social përmes të mësuarit gjatë gjithë jetës në përputhje me procesin e Bolonjës, duke ngritur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, institucioneve të praktikës (klinikave dhe qendrave rehabilituese) si dhe të ministrive përkatëse.
Në takimet që zgjaten deri me 10 Shkurt 2017, u nënvizuan segmentet kryesore të projektit, si: të mësuarit e bazuar në praktikë, zhvillimi i bazuar në kontekst dhe shpërndarja e njohurive do të bëhet nëpërmes rrjeteve, punëtorive, vizitave studimore, studimeve rajonale në vazhdimësi, seminareve reflektuese dhe pilotimeve të kurseve, për Institucionet e arsimit të lartë të cilat ofrojnë edukim në shkencat e rehabilitimit, si stafi mësimdhënës, stafi profesional dhe studentët që ofrojnë shërbime rehabilituese.
Nga Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” në takime morrën pjesë Rektori Prof. Dr. Shaban Buza, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Ass. Dr. Idriz Berisha dhe Ass. Kushtrim Grezda.