Kryetari Ardian Gjini vizitoi Universitetin e Gjakovës
Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani priti në takim të parin e Komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët.
Rektori Nimani e falënderoi z. Gjini dhe bashkëpunëtorët e tij për vizitën në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” dhe i njoftoi me të arriturat e UGJFA-së në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtarë, posaçërisht për renditje më lartë të Universitetit, për 3446 vende në listën botërore, si dhe për programet që UGJFA-ja ka aplikuar për akreditim në vitin e ri akademik.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini e falënderoi për pritjen dhe e përgëzoi Rektorin Nimani për punën, përkushtimin dhe sukseset e arritura në UGJFA në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Gjatë këtij takimi, Rektori Nimani dhe Kryetari Gjini biseduan lidhur me Kampusin Universitar. Z. Gjini u shpreh garantues dhe mbështetës në realizimin e ndërtimit të Kampusit Universitar, ku KK i Gjakovës ka ndarë parcelën prej 13 ha. për ndërtimin e Kampusit të UGJFA-së.
Sipas planit ideor është një kampus modern, i cili do të përmbush të gjitha normativat evropiane që kërkohen, si i tillë i është përshtatur ekstraktit të planifikimit urban të qytetit dhe do të ofroi zgjidhje afatgjate në mundësinë e studimeve për studentët e Gjakovës me rrethinë dhe ata të rajonit.