UFAGj organizon panel diskutimi me temën "Shkrimi i drejtë i gjuhës shqipe në universitet: nga përgjegjësia e një lënde te angazhimi i të gjitha programeve të studimit"
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë do të organizojë panelin “Shkrimi i drejtë i gjuhës shqipe në universitet: nga përgjegjësia e një lënde te angazhimi i të gjitha programeve të studimit”. Aktiviteti mbahet më 26 nëntor 2026, nga ora 11:00 deri në 12:00, në Bibliotekën Universitare në Gjakovë.
Paneli do të trajtojë mënyrat se si shkrimi i drejtë i gjuhës shqipe mund të fuqizohet në mësimdhënie, në detyrat dhe punimet e studentëve, si dhe në komunikimin akademik. Në epokën e digjitalizimit, kur një pjesë e madhe e punës universitare zhvillohet dhe shpërndahet në formë elektronike, kujdesi për gjuhën kërkon angazhimin e të gjitha programeve të studimit.
Në diskutim marrin pjesë Prof. Dr. Bardh Rugova, përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Kosovës; Prof. Dr. Sindorela Doli-Kryeziu, Prorektore për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve; dhe Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, Rektor i UFAGJ-së. Panelin e moderon Kryetarja e Parlamentit studentor Elda Gacaferri.
Përmes këtij paneli synohet të identifikohen hapa të zbatueshëm për përmirësimin e shkrimit akademik dhe për kultivimin e përdorimit të drejtë të gjuhës shqipe në punën e përditshme të universitetit. Aktiviteti është pjesë e ciklit të paneleve tematike që po organizon menaxhmenti i UFAGJ-së për çështje me rëndësi për komunitetin universitar.
Në përmbyllje të panelit do të ketë hapësirë për pyetje dhe diskutim. Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të kontribuojnë me mendimet e propozimet e tyre.