Rektori i UFAGJ-së, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, pjesëmarrës në panelin “Gjuha shqipe, drejtshkrimi dhe trashëgimia e Manastirit në epokën bashkëkohore”

Rektori i UFAGJ-së, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, pjesëmarrës në panelin “Gjuha shqipe, drejtshkrimi dhe trashëgimia e Manastirit në epokën bashkëkohore”

Manastir, 22 nëntor 2026

Në Manastir në Maqedoninë e Veriut, u mbajt manifestimi kushtuar Ditës së Alfabetit, nën patronazhin e kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Shqipërisë. Në Forumin Mbarëkombëtar “Foli Shqip – Dita e Alfabetit”, UFAGj u përfaqësua nga rektori, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje me Studentë, Prof. Dr. Sindorela Doli-Kryeziu, dhe Sekretarja e përgjithshme, znj. Nita Pruthi.

Pas fjalimeve zyrtare, u organizua paneli i diskutimit “Gjuha shqipe, drejtshkrimi dhe trashëgimia e Manastirit në epokën bashkëkohore”. Në panel folën rektorët e tri universiteteve, përfshirë rektorin Bunjaku, si dhe dy ministra, një nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Republika e Shqipërisë. Diskutimi solli këndvështrime institucionale mbi trashëgiminë e Kongresit të Manastirit, formimin gjuhësor të të rinjve dhe rolin e arsimit në përdorimin e gjuhës shqipe në jetën akademike e publike.

Në fjalën e tij, rektori Bunjaku theksoi se formimi gjuhësor dhe drejtshkrimor duhet të jetë pjesë e edukimit të studentëve në të gjitha fakultetet. Sipas tij, stafi akademik dhe administrativ duhet të jetë shembull në përdorimin e drejtë të shqipes në mësimdhënie, dokumente dhe komunikim të përditshëm. Ky shembull i nxit edhe studentët të tregojnë më shumë kujdes në mënyrën si shkruajnë dhe shprehen.

Diskutimi vijoi me pyetje të shumta nga audienca studentore lidhur me temën e panelit dhe rolin e të rinjve në përdorimin e shqipes në jetën akademike, publike dhe digjitale.

Rektori Bunjaku i informoi pjesëmarrësit se gjatë muajit nëntor është nënshkruar një marrëveshje shumëpalëshe ndërmjet universiteteve shqipfolëse. Duke folur për nismën “Erasmus Shqiptar 4+”, ai vuri theksin te mobiliteti i studentëve dhe i stafit akademik, si dhe te hulumtimi shkencor i përbashkët. Ai propozoi që bashkëpunimi ndëruniversitar të përfshijë edhe veprimtari për përdorimin e drejtë të shqipes dhe zhvillimin e terminologjisë akademike.

118 vjet pas Kongresit historik të Manastirit, alfabeti i gjuhës shqipe mbetet një shtyllë e identitetit, kulturës dhe unitetit të shqiptarëve. Organizatorët bënë të ditur se shënimi i Ditës së Alfabetit do të institucionalizohet si traditë e përvitshme, me synimin që vlerat dhe mesazhi i kësaj date historike të promovohen në mbarë hapësirën shqiptare dhe kudo ku ruhet e kultivohet gjuha shqipe.

Article Gallery