Ligjëratë në Universitetin “Fehmi Agani” për parandalimin e konfliktit të interesit

Ligjëratë në Universitetin “Fehmi Agani” për parandalimin e konfliktit të interesit

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, në bashkëpunim me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, më 17 nëntor 2026 organizoi ligjëratën me temën “Konflikti i interesit dhe parandalimi i tij”, me pjesëmarrjen e menaxhmentit, stafit akademik dhe administrativ të Universitetit.

Në fjalën hyrëse, Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, theksoi rolin dhe angazhimin e institucionit në parandalimin e konfliktit të interesit, duke vënë në pah edhe punën dhe veprimet e ndërmarra nga Universiteti në këtë drejtim.

Gjatë ligjëratës, përfaqësuesit e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Frashër Murtezaj, Udhëheqës i Divizionit për Zgjidhjen e Konfliktit të Interesit, dhe z. Driton Shala, Udhëheqës i Divizionit për Këshillim dhe Raportim, trajtuan kuadrin ligjor, format e konfliktit të interesit, mënyrat e identifikimit dhe procedurat për parandalimin dhe trajtimin e tij, duke sjellë edhe shembuj praktikë nga veprimtaria institucionale.

Znj. Erlinda Rizvanolli Meqa, Zyrtare ndërlidhëse për parandalimin e konfliktit të mundshëm të interesit në Universitet, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla, duke nënvizuar se parandalimi i konfliktit të interesit nuk duhet të shihet vetëm si detyrim ligjor, por edhe si pjesë e kulturës institucionale dhe e përgjegjësisë individuale të secilit zyrtar dhe punonjës gjatë ushtrimit të detyrave të tij.

Aktiviteti u përmbyll me diskutim, pyetje dhe përgjigje, si dhe me trajtimin e rasteve praktike. Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e këtij aktiviteti, duke e konsideruar atë një mundësi të vlefshme për komunikim të drejtpërdrejtë me institucionin kompetent, sqarimin e çështjeve praktike dhe avancimin e njohurive për parandalimin dhe trajtimin e konfliktit të interesit.

Article Gallery