Në Gjakovë u inicua një nismë historike: Universitetet publike shqipfolëse nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore bashkojnë forcat për shkencën, inovacionin dhe mobilitetin e përbashkët

Në Gjakovë u inicua një nismë historike: Universitetet publike shqipfolëse nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore bashkojnë forcat për shkencën, inovacionin dhe mobilitetin e përbashkët

Gjakovë, 12 nëntor 2026 – Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) ishte nikoqir i një takimi të rëndësishëm ndëruniversitar, i cili shënoi një hap të ri në fuqizimin e bashkëpunimit akademik, kërkimit shkencor dhe inovacionit teknologjik ndërmjet universiteteve publike shqipfolëse nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Me iniciativën e Rektorit të UFAGJ-së, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, në Gjakovë u mblodhën drejtuesit e katër universiteteve publike, duke konkretizuar angazhimin e përbashkët përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje shumëpalëshe ndërinstitucionale, e cila synon bashkimin e kapaciteteve akademike, shkencore dhe kërkimore në funksion të zhvillimit të përbashkët.

Në takim morën pjesë Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, Prorektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Prof. Dr. Edmond Beqiri, përfaqësues të menaxhmenteve universitare, staf akademik, anëtarë të Bordit për Ndërmarrësi dhe Inovacion të UFAGJ-së, si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit nga Kosova, Durrësi dhe Shkupi.

Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Rektori Bunjaku theksoi rëndësinë e kësaj iniciative për krijimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet universiteteve shqipfolëse, duke vlerësuar se bashkimi i potencialit akademik dhe shkencor përbën një mundësi të rëndësishme për avancimin e arsimit të lartë dhe zhvillimin e shoqërisë. Ai potencoi se universitetet ndajnë tri misione themelore: mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe kontributin në komunitet, ndërsa kjo nismë përpos që synon fuqizimin e këtyre, në thelb i tejkalon ato.

Rektori Bunjaku shprehu bindjen se kësaj iniciative do t'i bashkohen edhe universitete të tjera shqipfolëse, duke krijuar një hapësirë gjithnjë e më të gjerë bashkëpunimi akademik dhe shkencor. Ai theksoi se historia, gjuha dhe vlerat e përbashkëta përbëjnë një bazë të fuqishme për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme, ndërsa arsimi, shkenca dhe inovacioni janë instrumentet përmes të cilave ky bashkëpunim mund të shndërrohet në zhvillim konkret për gjeneratat e ardhshme.

Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, vlerësoi rëndësinë e kësaj iniciative dhe shprehu pritjen që asaj t'i bashkohen edhe universitete të tjera shqipfolëse. “Ne kemi shumë për t'i dhënë njëri-tjetrit, kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri”, u shpreh Fortuzi, duke theksuar se marrëveshja krijon mundësi për bashkëpunim konkret përmes mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta.

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, theksoi se universitetet kanë përgjegjësi dhe detyrim të mbështesin njëri-tjetrin për ngritjen e cilësisë së arsimit. Duke e cilësuar arsimin si një nga shtyllat themelore të komunitetit, ai vlerësoi se bashkëpunimi ndëruniversitar është i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin institucional, por edhe për krijimin e mundësive më të mira dhe një përfaqësim më të denjë të komunitetit akademik ndër brezat e rinj.

Prorektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Prof. Dr. Edmond Beqiri, foli për rëndësinë dhe iniciativën e krijimit të Forumit të Universiteteve Shqipfolëse, si një mundësi për zgjerimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve. Ai bëri të ditur se Universiteti “Haxhi Zeka” është në komunikim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, me synim organizimin e një aktiviteti në kuadër të kësaj nisme gjatë vitit 2027.

Në kuadër të takimit u zhvillua një tryezë e përbashkët diskutimi, ku përfaqësuesit e universiteteve, të Bordit për Ndërmarrësi dhe Inovacion të UFAGJ-së dhe të komunitetit të biznesit diskutuan kërkesat dhe hapat konkretë për vënien në funksion të menjëhershëm të bashkëpunimit ndëruniversitar.

Një nga rezultatet kryesore të tryezës ishte iniciativa për themelimin e një platforme të përbashkët të mobilitetit dhe bashkëpunimit, të konceptuar si “Erasmusi Shqiptar”, e cila synon të krijojë mundësi të reja për studentët, stafin akademik, diasporën shqiptare, duke integruar edhe komunitetin e bizneseve. Kjo platformë synon të ndërlidhë universitetet dhe potencialin intelektual shqiptar, duke lehtësuar shkëmbimin e dijes, ekspertizës dhe përvojave profesionale.

Ndër hapat e tjerë konkretë që dolën nga diskutimet ishin themelimi i bibliotekave dhe laboratorëve të përbashkët ndëruniversitarë, organizimi i universiteteve verore dhe formimi i grupeve të përbashkëta hulumtuese në fusha të caktuara shkencore. Këto iniciativa synojnë shfrytëzimin më efikas të infrastrukturës dhe kapaciteteve ekzistuese, si dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe inovative.

Një dimension i rëndësishëm i takimit ishte ndërlidhja e universiteteve me sektorin privat, përmes pjesëmarrjes së përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe anëtarëve të Bordit për Ndërmarrësi dhe Inovacion të UFAGJ-së. Diskutimet përfshinë mundësitë për orientimin e kërkimit shkencor drejt nevojave të industrisë, transferimin e njohurive dhe teknologjisë, si dhe zhvillimin e partneriteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Organizimi i këtij takimi u realizua edhe falë mbështetjes së pakursyer të komunitetit të biznesit, në veçanti të z. Bledar Balla nga kompania AED, z. Alban Hoti, ndërmarrës nga komuniteti shqiptaro-amerikan, dhe z. Bardhyl Jashari nga Fondacioni Metamorphosis. Kontributi i tyre dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, sektorit privat dhe shoqërisë civile në mbështetjen e iniciativave të përbashkëta akademike dhe zhvillimore.

Momenti kulmor i takimit ishte nënshkrimi i Marrëveshjes Shumëpalëshe Ndërinstitucionale në Fushën e Kërkimit Shkencor, Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik, ndërmjet Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Marrëveshja krijon një kornizë institucionale për zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, aplikimin në programe ndërkombëtare, ngritjen e kapaciteteve akademike dhe shkencore, shkëmbimin e ekspertizës dhe fuqizimin e bashkëpunimit me sektorin publik dhe privat.

Takimi i 12 nëntorit 2026 në Gjakovë, shënoi fillimin e një kapitulli të ri të bashkëpunimit ndëruniversitar mbarëshqiptar, duke vendosur bazat për shndërrimin e vizionit të përbashkët për arsimin, shkencën dhe inovacionin në iniciativa konkrete. Në këtë drejtim, menaxhmenti i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet fuqishëm i përkushtuar për jetësimin e marrëveshjes, zgjerimin e partneritetit me universitete të tjera shqipfolëse dhe ndërtimin e një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi, përmes bashkimit të kapaciteteve akademike, shkencore dhe inovative, me synim fuqizimin e universiteteve dhe krijimin e mundësive të reja për studentët, stafin akademik dhe gjeneratat e ardhshme.

Article Gallery