Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë fuqizon kapacitetet e stafit në fushën e sigurisë kibernetike

Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë fuqizon kapacitetet e stafit në fushën e sigurisë kibernetike

Në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, Qendra Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë organizoi trajnimin “Siguria Kibernetike dhe Privatësia Online”, në bashkëpunim me Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Trajnimi iu dedikua stafit akademik dhe administrativ të UFAGJ-së dhe u ofrua nga MSc. Yll Ferizi, ekspert i fushës, i cili trajtoi çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë digjitale, mbrojtjen e të dhënave dhe përdorimin e sigurt të teknologjisë në mjedisin universitar.

Aktiviteti u karakterizua nga interesimi i lartë për pjesëmarrje, duke dëshmuar rëndësinë që stafi i kushton sigurisë digjitale, mbrojtjes së të dhënave personale dhe ruajtjes së informacionit institucional.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u informuan për praktikat kryesore të sigurisë kibernetike, me theks të veçantë në identifikimin e e-maileve mashtruese (phishing), krijimin dhe menaxhimin e fjalëkalimeve të sigurta, përdorimin e autentikimit shumëfaktorësh (MFA), si dhe mbrojtjen e pajisjeve dhe rrjeteve Wi-Fi.

Vëmendje e veçantë iu kushtua ruajtjes dhe shpërndarjes së sigurt të informacionit, reagimit ndaj incidenteve të mundshme kibernetike, si dhe rreziqeve që lidhen me përdorimin e shërbimeve cloud, platformave online dhe mjeteve të Inteligjencës Artificiale. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e mbrojtjes së të dhënave të studentëve dhe e informacionit institucional në përditshmërinë e punës akademike dhe administrative.

Përmes këtij aktiviteti, Qendra Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie kontribuon në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të stafit dhe në fuqizimin e kompetencave të tyre digjitale, duke nxitur zbatimin e praktikave të sigurta dhe të përgjegjshme në përdorimin e teknologjisë.

Realizimi i këtij trajnimi dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të zhvillimit profesional dhe adresimit të nevojave të reja që dalin nga transformimi digjital i arsimit të lartë.

Qendra Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie mbetet e përkushtuar në organizimin dhe promovimin e aktiviteteve profesionale që mbështesin stafin e UFAGJ-së dhe kontribuojnë në ndërtimin e një kulture institucionale të sigurisë, privatësisë dhe përgjegjësisë digjitale.

Article Gallery